Konflikti për negociatat për huanë nga Fondi Saudit

Presidenti e akuzon qeverinë se në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi ka anashkaluar dhe ka negociuar për arritjen e një marrëveshje huaje me Fondin Saud për zhvillim për projektin e rehabilitimit të rrugës Vlorë-Orikum.

Zyra për shtyp e kreut të shtetit ka publikuar dhe korrespondencën me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Jashtme ku ju është kërkuar informacion për procedurën e ndjekur për negocimin e kësaj marrëveshje hua me Fondin Saudit për Zhvillimin.

E sipas kreut të shtetit, vetë Ministra e Financave e ka pohuar faktin se nuk është kërkuar autorizim për plotfuqi çka për të është shkelje flagrante kushtetuese e ligjore.

“Në këtë përgjigje, ministrja e Financave dhe Ekonomisë justifikon edhe një herë veten për faktin se për këtë marrëveshje nuk është marrë autorizim për plotfuqi për negocimin e një drafti me këtë përmbajtje. Pikërisht përmes këtij pohimi, konstatohet se janë shkelur në mënyrë flagrante kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit, të cilat diktojnë detyrimisht që për çdo marrëveshje, duhet më parë që autoriteti publik që drejton këto negociata të autorizohet nga Presidenti i Republikës, për t`u pajisur me plotfuqi për procesin e negocimi nga Republika e Shqipërisë. Për sa më sipër, Kushtetuta dhe ligji kërkojnë që miratimi në parim dhe nënshkrimi i një marrëveshje, të bëhet mbi bazën e draf-marrëveshjes së negociuar, dhe jo të një marrëveshjeje të paracaktuar, apo të negociuar në mënyrë të fshehtë”.

Për Presidentin deklaratat e Kryeministrit Rama sot në Vlorë bien ndesh dhe me qëndrimin e ministres së tij të Financave.

“Nga kjo deklaratë konstatohet qartë se jemi përpara një mashtrimi të rëndë që i bëhet qytetarëve shqiptarë, dhe Institucionit të Presidentit të Republikës, sepse: – nga njëra anë, ministri i Finanacve dhe Ekonomisë konfirmon me shkresë se nuk janë zhvilluar negociata për këtë projekt; ndërkohë që, – nga ana tjetër, Kryeministri citon se ka realizuar një proces negocimi”.

Meta kërkon reflektim dhe ndjekje të rrugës ligjore nga Ministria e Financës por Kryeministri ka reaguar ndaj këtyre deklaratave duke shkruajtur se ky projekt që është gati dhe ka po ashtu gati edhe financimin, janë në pritje të Presidentit Meta.

Kam pritur me durim e do presim edhe pak që Ilir Meta të lexojë sqarimet që i kemi nisur” – shkruan Kryeministri – “para se të flasim me Vlorën”.

Tv Klan