Presidenti: Nuk lejoj cënimin e interesave kombëtare, Rama: S’ka lidhje me zonën e kontestuar
Presidenti Ilir Meta kërkoi informacion në lidhje me qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj dekretit Presidencial të Greqisë, që u zgjerua me 12 milje në detin Jon. Përmes një njoftimi publik, kreu i shtetit tha se nuk do të lejonte cënimin e interesave kombëtare në këtë çëhtje.
“Për çdo zhvillim, që lidhet drejtpërdrejt apo ndikon në procesin e negociatave për delimitimin e hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, kam kërkuar informacion shterues dhe analizë të plotë të qeverisë shqiptare, sipas përgjegjësive, që i takojnë sipas ligjit. I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijoj të ushtroj me përgjegjësinë maksimale shtetërore dhe kushtetuese detyrat e mia dhe se nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar”.
Në reagimin e tij, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se dekreti për zgjerimin e Greqisë me 12 milje nuk ka lidhje me zonën e kontestuar mes dy vendeve. Me ironi, Rama la të kuptohet se reagimi i presidentit motivohet nga interesat e LSI-së.
“Vetëm të paudhët si Saliu e si Iliri dhe ndjekësit e tyre me Lulin e me Monikën në krye, mund të kërkojnë shesh për përshesh deri në det, ndërkohë që e vërteta është e qartë si drita e diellit: Shqipëria dhe Greqia nuk kanë arritur asnjë marrëveshje e prandaj do shkojnë në gjyq!
Vendimi në fjalë i Greqisë s’ka lidhje me zonën e kontestuar mes dy vendeve tona, sepse në atë zonë parimi i 12 miljeve është thjesht fizikisht i pamundur sipas Konventës aty ku ky parim nuk është e mundur të zbatohet, ose bëhet marrëveshje ose shkohet në gjykatë! Ja kështu Like!”
Greqia ka publikuar në fletoren zyrtare dekretin e Presidentit për zgjerimin me 12 milje të kufirit detar në detin Jon. Në vendim thuhet se, dekreti është mbështetur në Konventën e OKB-së për Ligjin e Detit të vitit 1982.
Tv Klan