PSG iu përgjigj presidentit të La Liga-s Havier Tebas pas sulmeve të tij të vazhdueshme ndaj klubit francez dhe futbollistëve të ekipit.

Numri 1 i qeverisë spanjolle të futbollit nuk i kurseu thumbat, duke e quajtur klubin parisien po aq të rrezikshëm sa edhe Superliga Europiane dhe i cilësoi Ligue 1 një kampionat legjendash, pasi u transferuan ish-kapiteni i Realit, Serxhio Ramos dhe ai i Barçës, Leo Mesi.

La Liga ende po e merr veten nga merkatoja verore, ku u larguan disa lojtarë me peshë, përfshirë Ramosi dhe Mesi që janë bërë pjesë e PSG-së. Presidenti i La Liga-s habitet se si klubi parisien paguan 600 mln euro në vit rroga për lojtarët, ndërsa fiton nga të drejtat televizive 70 mln euro.

Francezët reaguan me një letër ku mendojnë se deklaratat e Tebasit janë të pabaza, ndërkohë që kujtuan edhe problemet financiare të klubeve spanjolle si edhe tentativat e Realit dhe Barçës për krijimin e Superligës së Evropës.

Edhe Ligue 1 në komunikatën e saj dënoi me forcë deklaratat e presidentit spanjoll, të cilat i quajti tronditëse, ndërsa rikujtoi se edhe vetë La Liga ka një histori të keqmenaxhimit financiar.

Klan News