8 janë artistët ndërkombëtarë që marrin pjesë këtë edicion të 22-të të festivalit Kënga Magjike. Secili prej tyre ka zgjedhur nga një mik, një artist me peshë për t’i prezantuar, të cilët gjithashtu dërgojnë edhe përshëndetjen e tyre për Këngën Magjike dhe Shqipërinë.

I pari që përcolli përshëndetjen e tij këtë natë të dytë gjysmëfinale ishte këngëtari italian tepër i njohur Nek. Për të gjithë ata që ndoshta nuk e kujtojnë, një prej hiteve që kishte pushtuar të gjitha radiot në Shqipëri vite më parë, ishte kënga “Laura non c’è”.

Në Kënga Magjike, Nek prezantoi artisten italiane, Valeria Altobelli.

“Përshëndetje Shqipëri! Përshëndetje Kënga Magjike! Jam aty me ju për të përshëndetur një mikeshën time, që merr pjesë në festivalin “Kënga Magjike”. Ajo është Valeria Altobelli. Valeria është shkrimtare, kompozitore, autore, muzikante, por mbi të gjitha një grua me zemër të madhe, që është gjëja më e rëndësishme, që shpresoj ju e keni pikasur në këngën që ajo këndon në muzikën e saj. Valeria të uroj më të mirën, uroj të fitosh! Dhe pavarësisht se si do të shkojë kjo eksperiencë e jotja, uroj të mund ta jetosh me dashuri, me dashurinë e madhe që ti dhuron në gjithçka që bën. E mbi të gjitha është e mrekullueshme që muzika italiane është e vlerësuar në Shqipëri nëpërmjet këtij festivali të madh. Valeria të uroj fat për gjithçka! Përqafime ty dhe të gjithë miqve shqiptarë.”/tvklan.al