Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të dielë duke shpërndarë një fotoalbum nga Kongresi i PS-së që u zhvillua ditën e djeshme. Në të, kreu i qeverisë ka dashur të ndajë me ndjekësit e tij momente të ndryshme gjatë kongresit të jashtëzakonshëm që u zhvillua në të njëjtën ditë me 30-vjetorin e krijimit të PS-së.

Momenti i përqafimit me Gramoz Ruçin pasi ky i fundit deklaroi largimin nga politika, përqafimi me vajzën e Bashkim Finos si dhe momente gjatë fjalës së tij dhe të përfaqësuesve të PS-së në podium e shkallët e stadiumit “Air Albania” janë disa prej fotove me të cilat, Rama u ka uruar mirëmëngjes ndjekësve të tij në Facebook.

“Mirëmëngjes, dhe me fotoalbumin e ditës krejt të veçantë të 30-vjetorit emocionues të familjes sonë madhe socialiste, ju uroj një të dielë të paqtë”, shkruan Rama./tvklan.al