“Ma di zemra!” Kështu u shpreh Syla pa asnjë hezitim se kush gjendej në anën tjetër të ekranit të studios së “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. E në të vërtetë kishte të drejtë sepse është pikërisht bashkëshortja e tij, Sania që ka organizuar surprizën.

Viti 2023 do të shënonte 30-vjetorin e martesës së tyre të lumtur, të bekuar nga 3 fëmijë e një dashuri e madhe. Fatkeqësisht, humbja e motrës e bëri Sanien të merrte vendimin që mos ta festonte dot me një dasmë të dytë. Ndaj, ajo vendosi t’i shprehte mirënjohjen bashkëshortit të saj për dashurinë, mbështetjen, mirëkuptimin e këtyre viteve por edhe një premtim.

Sanie: Zemër!

Syl: Hajde zemër!

Sanie: Më së pari, më fal që ndodhi kështu por rruga më e bukur për ta bërë surprizën më të bukur që ekziston nuk dita përveçse tek Arditi, në këtë studio kaq të bukur.

Syl: Faleminderit!

Sanie: Ti e di që gjithmonë i ndjek emisionet e Arditit…

Syl: E di!

Sanie: Edhe kështu thashë ta shpreh këtë dashurinë që kam për ty.

Syl: Faleminderit, gjithashtu!

Sanie: Në këto 30 vite kemi pasur jetë shumë të bukur bashkë.

Syl: Ishin si 3 vite Ardit, jo 30! Aq shpejt kanë kaluar.

Sanie: Ti ma dhe lumturinë, mund të them edhe mençurinë, më dhe shkollimin, ti më bëre të ndihem vetvetja, ashtu siç duhet të ndihet çdo femër që ekziston. Dua të të falenderoj për gjithçka, edhe për ato lulet e dhuratat që gjithmonë m’i sjell te puna, që thonë gjithnjë punëtoret “a ke ndonjë djalë shqiptar atje edhe për ne?”

Ardit Gjebrea: Pse nuk u çojnë lule shoqeve të punës?

Sanie: Nuk u vijnë te puna lulet. Ky gjthnjë surprizat i ka pa ndalur kurrë.

Ardit Gjebrea: Ndaj vendose t’i bësh këtë surprizë sot.

Sanie: Edhe vendosa t’i bëj këtë surprizë, edhe një gjë, në emër s’më thërret kurrë, këtu më vjen çudi se tha “Sania”, ky veç “zemër” më thotë.

Ardit Gjebrea: Po gocës së vogël i thua ndonjëherë zemër?

Syl: Po, po. Tani kam dy zemra. Ndonjëherë kur thërras “zemër”, të dyja kokën këtej.

Sanie: Të bëj një premtim, edhe pse nuk e bëmë dasmën ti e di që unë jam akoma e mërzitur për motrën dhe është e vështirë ta largoj dhe e di që shumë herë ti mërzitesh, thua “nuk je ajo që ishe”,  por dije se unë e  kam qëllimin.

Ardit Gjebrea: Do e bëni festën e madhe?

Sanie: Do e bëjmë festën e madhe dhe do të jetojmë gjithnjë të lumtur siç kemi qenë deri tani./tvklan.al