Grabitja e parave të tre bankave të nivelit të dytë një ditë më parë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend, është një ngjarje e cila për ekspertët dëmton rëndë imazhin e vendit për investitorët e huaj.

Profesori i Ekonomisë dhe po ashtu ish-Ministër i Financave, Arben Malaj, thotë se agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit tashmë kur të llogaritin riskun e Shqipërisë, do të përfshijnë edhe çështjet e sigurisë dhe vjedhjes së parave. Malaj shprehet se klasifikimi i rrezikut për të investuar në vendin tonë do të rritet më shumë tashmë që kemi të bëjmë me një ngjarje të përsëritur brenda një periudhë të shkurtër kohe.

Arben Malaj sqaron se procesi i transferimit të parave në formë fizike jashtë është normal dhe po ashtu një veprim që e kryen çdo bankë tregtare në çdo shtet. Paratë që bankat dërgojnë jashtë kufijve janë të siguruara në kompani të sigurimit dhe pikërisht këtu do të rriten kostot e tërthorta për sistemin bankar në vend. Agjencitë që sigurojnë vlerat monetare do të shtojnë primin e sigurimit.

Për të bërë pagesat nga një llogari bankare e një banke në Shqipëri te një tjetër bankë në Shqipëri, transferta bëhet fillimisht në formë dixhitale, e më pas bankat bëjnë shkëmbimin fizik të parave. Për monedhën Lekë, shkëmbimi bëhet pranë strukturës së kasafortës së Bankës së Shqipërisë, ndërsa për valutat bankat duhet të përdorin procesin për të nxjerrë paratë jashtë te banka që kanë lidhur marrëveshje për të kryer transaksionin dixhital, e më pas për të bërë pagesën me kesh.

Banka e Shqipërisë është duke parë mundësinë që të shtojë edhe këtë shërbim të sistemit të pagesave, megjithatë ky investim do të eliminonte vetëm një përqindje të ulët të volumeve të parave që shkëmbehen me vendet e tjera.

Tv Klan