Kuvendi pritet të ratifikojë marrëveshjen

Teksa ftoi deputetët të votojnë ratifikimin e traktatit të ri për ekstradimet mes SHBA dhe Shqipërisë, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se traktati i ri lehtëson funksionimin e procesit të ekstradimit ndërmjet palëve duke përfshirë ekstradimin në rastet e ndjekjes penale, në vënien në ekzekutim të vendimit të gjykatave si dhe vuajtjen e një dënimi për një vepër penale të ekstradueshme.

Gjonaj u shpreh se nëpërmjet këtij traktati, krijohet kuadri i ri rregullator për aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve amerikanë dhe atyre shqiptarë, duke zgjeruar kështu dhe përditësuar kategoritë e veprave penale për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët, mbi bazën e parimit të kriminalitetit të dyfishtë, duke përfshirë tashmë edhe veprat penale më të reja si ato me karakter financiar, tatimor, doganor, korrupsionin, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike dhe çdo vepër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë maksimale prej më shumë se një viti, apo për një dënim më të rëndë, me përjashtim të veprave penale me karakter politik.

“Marrëveshja e re e ekstradimit shënon një hap të rëndësishëm përpara bashkërisht në luftën kundër krimit, duke ofruar kështu instrumente të rinj për të luftuar me efikasitet edhe format e reja të kriminalitetit dhe për të mos lënë asnjë shteg në ndjekjen penale dhe forcimin e instrumenteve për vënien përpara drejtësisë të autorëve përgjegjës për kryerjen e veprave penale në të dy vendet tona”, theksoi Gjonaj.

Nënshkrimi i traktatit të ri të ekstradimit midis dy vendeve u bë në 22 Dhjetor 2020. Kuvendi pritet të votojë këtë të enjte ratifikimin e kësaj marrëveshjeje./tvklan.al