Franca fitoi kupën e botës, Kroacia fitoi botërorin. Kjo është sinteza e ndeshjes finale. Por cilat janë arsyet e suksesit të francezëve?

Djemtë e Deschamps bënë diferencën. Kylian Mbappe dhe Paul Pogba, ishin protagonistë në skenën e finales. Të dy në mënyrat e tyre ishin liderë kundër Kroacisë. Ata luajtën shumë mirë edhe pa top duke krijuar hapësira për shokët e skuadrës dhe shënuan nga një gol. Paraqitja e tyre në të gjithë kampionatin tregoi se e ardhmja e Francës është aktuale.

Një shërbim të madh i dha skuadrës Baise Matuidi. I kritikuar në Francë për lojën mbrojtëse, Deschamps e aktivizoi në pozicionin e Dembele dhe me mënyrën e tij Matuidi krijonte mundësi që Mbape, Pogba dhe Hernandez të bënin lojën e tyre.

Arbitri gjithashtu luajti rol kryesor. Penalltia e akorduar pas analizimit të pamjeve, ndryshoi rrjedhën e lojës. Perisiç e preku topin me dorë, por ky nuk ishte qëllimi i tij, për më tepër që lojtari ishte në rënie. Aplikimi i VAR duhet të sjellë edhe ndryshim të rregullave të lojës.

Meritat nuk mund t’i hiqen as Kroacisë. Brezi i artë i drejtuar nga Zlatko Daliç shkëlqeu duke treguar energji, vendosmëri përgatitje të lartë psikologjikë dhe luftë deri në fund. Lojtari më i mirë i botërorit, Luka Modriç, po kuotohet si kandidat potencial për të fituar Topin e Artë. 32-vjeçari ishte i kudondodhur në fushë dhe nuk bëri asnjë gabim. Edhe kur Kroacia nuk kishte topin ai vraponte për ta fituar atë. Dhe kur e kishte, Modriç ishte motori i skuadrës, me pasime të sakta dhe driblime depërtuese. Ai është lojtari që luajti më shumë minuta dhe mbuloi më shumë fushë se kushdo tjetër në të gjithë kampionatin. Për atë çka dha në këtë botëror meritoi të quhej Cruyff i Ballkianit.

Tv Klan