Gjatë periudhës së pandemisë në vendin tonë janë shënuar mbi 5800 vdekje të shtuara, ndryshe nga mesatarja shumëvjeçare e Shqipërisë për numrin e vdekjeve në vit. Këtë fakt ia kujtoi analisti Artan Hoxha kryeministrit Edi Rama gjatë emisionit “Opinion”.

Por kreu i ekzekutivit u shpreh se qeveria nuk ka asnjë qëllim dhe asnjë të drejtë që të bëjë taktikë me shifrat. Rama u shpreh se viktimat që janë shënuar se kanë humbur jetën nga Covid janë të lidhura me kartelat mjekësore.

Po ashtu, ai u shpreh se gjatë periudhës  së pandemisë të gjitha shtetet kanë pasur një rritje të numrit të vdekjeve.

 “E para e punës qeveria nuk ka asnjë lloj qëllimi, asnjë lloj të drejte të bëjë taktikë me shifrat. S’ka taktikë me shifrat. Autoritetet shëndetësore publikojnë ekzaktësisht shifrat për të cilat kanë përgjegjësi. Çfarë është publikuar nga pikëpamja e Covidit është e lidhur me kartelat mjekësore. Nuk ka mundësi, nuk ka shans. Vdekjet që qeveria, që autoritetet shëndetësore publikojnë janë ekzakte dhe të lidhura me kartela mjekësore. Nuk mund të bëjë dot askush që merr ca vdekje këtu, shko andej. Kjo nuk ndodh në këtë shtet sa kohë jemi ne në krye . Më përpara ka ndodhur që të bëheshin rritjet ekonomike me dorë në zyrën e kryeministrit dhe të dilte rritja ekonomike dyshifrore se kështu thoshte Saliu. Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet pa përjashtim ka një rritje të numrit të vdekjeve në tërësi. Që sigurisht nuk ka si të mos jetë e lidhur me periudhën e pandemisë, por jo domosdoshmërisht të gjitha ato vdekje lidhen drejtpërdrejt me Covidin. Efektet e pandemisë janë të shumta. E treta dhe e fundit, është e pasaktë ajo. Ne nuk jemi tek vendet me numrin më të ulët të vdekjeve të rritura, të gjithë kanë vdekje të rritura, por nuk jemi as tek vendet me rritjen më të lartë. I kam parë dhe i kam konsultuar tabelat dhe janë ndryshe”, tha Rama./tvklan.al