Qytetarët në kryeqytetin e Tajlandës, në Bangkok, kanë përdorur veshje nga më të ndryshme duke i përdorur si maskë në fytyrë për shkak të smogut që ka mbërthyer qytetin. Autoritetet kanë paralajmëruar se smogu i përmasave të mëdha mund të shkaktojë probleme shëndetësore tek qytetarët.

Ndërsa, këta të fundit kanë marrë masa duke mbuluar fytyrën, shpresojnë që të fillojnë reshjet e shiut për të pastruar ajrin. Ndotja përllogaritet të jetë 8 herë më e lartë se norma, dhe parashikohet që kjo situatë e rënduar të zgjasë të paktën 1 muaj deri në pastrimin e ajrit. Shumë dyqane kanë shitur maska jashtë parashikimeve, aq shumë sa tashmë tregu përballet me mungesa. Në këto kushte, qytetarët kanë gjetur zgjidhje të improvizuara.

Në mediat sociale qarkulloi fotografia e një personi mbi motor që kishte mbuluar fytyrën me reçipeta të kuqe. Autoritetet lokale po bëjnë përpjekje për të larguar smogun, duke spërkatur ujë në ajër. Besohet se shiu artificial do të largojë grimcat e ndotjes dhe do të pastrojë ajrin. Agjencitë e shëndetit thonë se Qeveria e Tajlandës nuk po e merr seriozisht kërcënimin e shëndetit të qytetarëve.

/tvklan.al