Ditën e sotme në emisionin “Rudina” në Tv Klan është trajtuar një temë që mund të tingëllojë banale, por është një fenomen që është prezent në çdo shoqëri. Bëhet fjalë për tradhtinë bashkëshortore, si ndikon ajo në sjelljen në shoqëri dhe pasojat që lë në jetën e çiftit.

Në emision u mor rasti më i freskët që është bërë edhe publike “rasti Noja”, sherri i dy vajzave nga Shkodra, ku në thelb ishte tradhtia e njërës shoqe me bashkëshortin e shoqes tjetër.

Për të folur për këtë fenomen në studion e “Rudinës”, kanë qenë të ftuar Dasara Karaiskaj, Monika Lubonja dhe Valer Kolnikaj.

Ata janë pyetur nga Rudina Magjistari se si e përkufizojnë tradhtinë bashkëshortore dhe dhanë kështu mendimin e tyre personal.

Valer Kolnikaj: Unë do e fusja në grupin e mashtrimit, gënjeshtrës dhe me negativitetin maksimal të mundshëm. Në çdo lloj raporti qoftë miqësor apo dashuror, në çdo marrëdhënie pune është shumë e ulët si vetë fjala. Unë personalisht nuk do e doja as në marrëdhënie me njerëzit kudo.

Dasara Karaiskaj: Unë do t’i ndaja. Mendoj se tradhtia midis shoqes apo marrëdhënieve të tjerë jo intime dhe personale është më zhgënyese sesa një marrëdhënie ndërpersonale. Në rastin e një lidhje intime dhe personale, ndodh që zemra të rreh fort edhe për një njeri tjetër, është një gjë që ndodh, që nuk varet nga ty, por nuk është domosdoshmërisht një tradhti sepse jo domosdoshmërisht partneri kur shkoi tek një tjetër nuk të do apo donte të të tradhtonte ty. Unë kam dëshirë që t’i lëshoj një mesazh të gjithë publikut shqiptar që të kuptojnë që këto mënyra që kemi ne si popull, kaq agresive, nuk na ndihmojnë aspak në radhë të parë ne. Duket sikur shkarkojmë momentin e nervave, por në fakt ne i kemi bërë një dëm të madh vetes. Unë mendoj që nuk ka mashkull që ta merr tjetra, ka një mashkull që nuk do të rrijë më me ty, ose do të rrijë edhe me ty edhe me tjetrën dhe ti me qetësi duhet të dalësh para pasqyrës e t’i analizosh të gjitha këto gjëra.

Monika Lubonja: Tradhtinë askush nuk e do, por varet nga pozicioni dhe gjykimi i çdo njeriu. Si do e ndjeja unë veten të tradhëtuar? E para nuk do të bëja aktin e një gjuajtje ose keqtrajtimin e një personi të dytë. Rasti i Shkodrës ishte banal, atë zonjën nuk e pashë mirë dhe psiqikisht sepse për mua kjo gjë është e patolerueshme. Unë mendoj që fajin do e shikoja tek vetja si Monikë. Shumë veta thonë që nuk do ja falnim tradhtinë, por unë jam e bindur që në heshtje të gjithë falin, në heshtje të gjithë jemi tradhtuar, por mënyra se si ne do e kalojmë këtë gjë nëse do e bëjmë faljen, unë do dilja para pasqyrës, do kisha një forcë në veten time, të thoja nëse do e fal partnerin, do mbyllja gojën në të gjitha aspektet dhe do ta falja për hir të asaj dashurie të madhe. /tvklan.al