Të pyetur se përse nuk dërgojnë një grup studentësh për të dialogur me Kryeministrin Edi Rama për kërkesat e tyre, studentët thonë se nuk e bëjnë një gjë të tillë nga frika se mos blihen. Në studion e “Opinion”, ku për të tretën mbrëmje radhazi janë të ftuar studentë, ata thanë se kanë frikë që çdolloj përfaqësie të shkojë për të biseduar mbi kërkesat e tyre, do të blihet.

“Pse nuk negociojmë? Më saktësisht përse ne nuk duam një përfaqësi? Të jemi realistë, askush nga ne nuk mund t’i përfaqësojë të gjithë. Ta themi frikën që ne kemi… ne kemi frikë se çdolloj përfaqësie të çojmë atje, ajo përfaqësi do të blihet. Do shantazhohet, do blihet…”

Blendi Fevziu: Po do e shkarkoni ju pa dalë nga zyra

“Kur t’i shkarkojmë pasi të shpërndahet protesta? Pastaj të çojmë përfaqësi tjetër? Kjo është frika jonë reale”.

Studentët dhanë edhe një datë se kur do të ulen për të biseduar me Kryeministrin Edi Rama.

“A mund t’ju them dhe datën e saktë kur do të flasim me Kryeministrin? Pasi të plotësohen 8 pikat, më 17 Maj mund të flasim…”

Blendi Fevziu: Përse më 17 Maj?

“Se e ka qejf 17 Majin. ”

Studentët shprehen të bindur se nuk do të kenë asnjëherë një përfaqësi. Ata thonë se përfaqësia e tyre e vetme janë 8 kërkesat.

/tvklan.al