Ditët e sotme jeta jonë është e rrethuar nga pajisje të shumta elektronike, të cilat bëjnë që fatura e energjisë elektrike në fund të muajit të jetë e majme. E përditshmja britanike “Mirror” sjell këshillat e disa ekspertëve, sesi mund të kursejmë energji elektrike.

Fillimisht, të mbajturin frigoriferin plot gjatë gjithë kohës, mund t’ju kursejë shumë para përgjatë një viti. Kjo pasi një frigorifer plot është në gjendje ta rregullojë temperaturën e tij në mënyrë më efiçente sesa një bosh.

Nëse nuk keni mundësinë për të mbushur frigoriferin plot me ushqime atëherë kujdesuni që në hapësirat boshe të vendosni një enë me ujë, apo mbajtëse me akull, në mënyrë që të parandaloni largimin e ajrit të ftohtë.

Së dyti, nëse mendoni se lënia gjatë gjithë kohës e dushit në prizë iu kursen energji dhe para, e keni gabim.

“Në fakt është më efiçente dhe kushton më pak që ta ndezësh dushin kur të duhet dhe ta fikësh një moment që ke mbaruar punë”, shpjegon eksperti Steve Springett.

Ngrohëset elektrike janë gjithashtu një prej “thithësve” më të mëdha të energjisë elektrike. Teksa shumë besojnë se përdorimi i tyre për të ngrohur një apo dy dhoma në të njëjtën kohë kushton më pak sesa të ndezësh ngrohjen, energjia e përdorur është në fakt ekuivalente me atë të ngrohjes së të gjithë dhomës me sistem qendror ngrohjeje.

Edhe gabimi i zakonshëm i vendosjes së pak rrobave në lavatriçe, ju bën më të varfër.

Megjithatë, një prej fajtorëve kryesore të shpenzimit të energjisë, janë pajisjet elektronike të vendosura në prizë dhe që nuk përdoren.

Karikuesit e telefonave qëndrojnë në krye të listës. Sipas ekspertëve, ato mund t’ju kushtojnë mbi 80 paund në vit energji të pa përdorur. Të tjera pajisje përgjegjëse për shpenzimin e panevojshëm të energjisë elektrike, kur nuk përdoren, janë laptopët, tabletat dhe abazhurët.

Ekspertët shpjegojnë se pajisje si karikuesja e telefonit apo ajo e laptopit vijojnë të thithin energji edhe kur bateria është plot, apo kur në to nuk është vendosur asgjë./tvklan.al