Partia LZHK me në krye Dashamir Shehin nuk pranoi ftesën e Partisë Demokratike për t’u bashkuar në koalicionin “Shqipëria Madhështore” për zgjedhjet e 11 Majit. I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu, Dashamir Shehi iu përgjigj një sërë pyetjesh në lidhje me angazhimin e tij në sferën politike.
Shehi merr pjesë për herë të 11-të në zgjedhje që prej vitit 1991. Karriera e tij në polikë është e gjatë, por siç vetë ai përgjigjet mes batutash ka qenë i “mbijetuar në polikë, por jo në pushtet”.
E pavarësisht kësaj ai nuk e pa koalicionin “Shqipëria Madhështore” si një trampolinë apo mundësi për të arritur pushtetin. Në “Opinion” kreu i LZHK-së tregon se ka qenë pikërisht lidershipi i këtij koalicioni ai që nuk e ka bindur.
Pavarësisht se bashkimi në koalicion do i ofronte një listë të sigurt, Shehi shprehet se kjo nuk ia ul krenarinë, e as prestigjin.
Blendi Fevziu: Pse vendosët që të garonit në një koalicion më vete dhe nuk pranuat ftesën e Partisë Demokratike që të bëheshit pjesë e koalicionit opozitar? Ju keni qenë pjesë e Partisë Demokratike në 2 palë zgjedhjet e fundit, edhe më herët.
Dashamir Shehi: Ne jemi këta që e kemi themeluar partinë. Kjo punë ka përfunduar këtu për 1 mijë motive, por në radhë të parë për motive politike. Tek Partia Demokratike ne nuk jemi dakord për këtë lidership që është.
Blendi Fevziu: Me Berishën? Pse?
Dashamir Shehi: Për shumë motive!
Blendi Fevziu: Po atë e ka zgjedhur Partia Demokratike, nuk e keni ju në dorë!
Dashamir Shehi: Po pikërisht prandaj po them. Aty është e drejta e atyre që të zgjedhin atë që duan vetë, por është e drejta jonë që ta marrim rrugën si ta duam vetë dhe këtë nuk kuptojnë në Partia Demokratike. Thonë meqë ne e kemi zgjedhur vetë dhe jemi shumica ejani dhe ju këtu dhe bëni si ne.
Blendi Fevziu: Por, dhe nga ana pragmatiste ju do ishit në listë të sigurt me Partinë Demokratike, por në këtë rast keni mundësinë që edhe mund të mos zgjidheni.
Dashamir Shehi: Në këtë rast unë do vesh këpucët e vjetra, jo këto të sotmet dhe do të dal në fushatë siç kam dalë 30 vjet më përpara.
Blendi Fevziu: I ke akoma ato të vjetrat?
Dashamir Shehi: Po sigurisht. Mirëpo kjo nuk ma ul as krenarinë dhe as prestigjin./tvklan.al