Nga Blendi FEVZIU/ Televizioni Klan ka ditë që është përfshirë në një ndërmarrje të rëndësishme dhe tejet interesante. Një prej atyre ndërmarrjeve mediatike, ku investigimi, ballafaqimi i dokumenteve, përballja e palëve dhe shfletimi i ligjeve, shërbejnë që publiku të kuptojë se si shteti kapet peng, se si institucionet shtetërore shkelin ligjin dhe se si pasoja e gjithë kësaj nuk është thjeshtë keqadministrimi, por humbja e jetës së dy fëmijëve të pafajshëm, njëri 3 dhe tjetri 5 vjeç.

Nuk dua të zgjatem më me shpjegimin e rastit sepse Tv Klan, por edhe Opinion.al kanë postuar mjaft dokumente dhe kanë shpjeguar atë. Dua të ndalem vetëm në aktin fundor, i cili u bë publik së fundmi dhe është një ndër skandalet më të dokumentuara dhe më të verifikuara të kohëve të fundit.

Një segment i rrugës Shkozet – Rrogozhinë ishte lënë pa trafikndarësen anësore, në afërsi të një karburanti, pikërisht aty, ku pas disa aksidentesh më minore një nënë me tre fëmijët e saj u përplas duke lënë në mes jetën e dy prej tyre.

Rruga ishte lënë e hapur pas ankimit në gjykatë të një biznesi, i cili pretendonte, mbase me të drejtën e tij, që karburanti ishte pajisur me leje per të pasur akses direkt në autostradë. Pasi shkalla i parë i dha të drejtë, Apeli i Tiranës e rrëzoi kërkesën e Karburantit dhe i dha të drejtë Autoritetit Kombëtar të Rrugëve që ta mbyllë këtë segment në gjithë gjatësinë e tij. Vendimi i formës së prerë i takon datës 1 Korrik 2014.

Në 1 Gusht 2014, firma që merrej me ndërtimin e rrugës nisi mbylljen e autostradës në dy anët e saj, por më 8 Gusht, AKRR i dërgon një letër ku i kërkon që përballë karburantit në fjalë, rruga të lihet e hapur, duke shkelur në mënyrë flagrante një vendim Gjykate dhe çdo rregull të trafikut rrugor në vend. Më pas, vetë pronari i Karburantit, deklaroi në OPINION që i ka kërkuar firmës ta mbyllë provizorisht segmentin e hapur. Por firma nuk e bënte dot sepse kishte urdhër nga AKR të cilës i bindej. Një vit më vonë, Policia e Kavajës dhe e Tiranës kanë dërguar dy letra të tjera duke kërkuar mbylljen e saj.

Sërish nuk u mbyll.

Deri një javë më parë, kur pas vdekjes tragjike të dy fëmijëve, dhe pas arrestimit të 3 zyrtarëve të AKRr, dalja u mbyll me shpejtësi. TV Klan disponon dhe besoj se do të publikojë javën e ardhshme disa mesazhe dhe ankesa, dërguar në rrugë elektronike ndaj AKRR dhe Ministrisë së Transporteve, gjatë viteve 2014 dhe 2015, kur banorë të zonës udhëtarë, por edhe personazhe publikë kanë insistuar për mbylljen ekësaj vrime aksidentesh, me të vetmin synim shmangien e tragjedisë.

Tani që tragjedia ka ndodhur, publikimi i këtyre mesazheve dëshmon edhe më shumë për papërgjegjshmërinë dhe shkeljen e ligjit që çoi në një vrasje të paralajmëruar.

Por kjo është vetëm njëra anë. Dy fëmijë kanë humbur jetën; 3 zyrtarë janë në burg; mediat kanë dëshmuar shkeljen në çdo detaj dhe pjesa më e madhe e politikës hesht. Asnjë fjalë s’ka thënë Kryeministri që nuk përton të flasë për çdo ndërtim pa leje, por që nuk flet për sharrimin e autostradës publike në mes të Shqipërisë.

Asnjë fjalë nuk po thotë Ministri i Transporteve, që mban përgjegjësi direktesi epror i AKRR. Asnjë fjalë nuk po thotë kreu i kuvendit, shefi i LSI, partia e të cilit mban linjën zyrtare të Ministrisë së Transporteve dhe të AKRR.

Fare pak ka folur opozita, që flet për çdo dyshim, por hesht për një rast ku shkelja e ligjit, ka qenë jo vetëm evidente, por edhe me pasojë tragjike. Rasti vlen shume mirë për të kuptuar se kur vjen puna përtej fjalëve, kur vjen puna për te ndëshkuar shkeljet reale, politika gjen konsensusin e heshtjes dhe harron denoncimet që bën çdo ditë.

Sepse për të, dy jetë fëmijësh të pafajshme, vlejnë më pak se sa disa drejtorë të korruptuar, apo një grusht parash që me siguri, janë shkaku kryesor, që ata dy fëmijë tretensot nën tokë…