Për dy vite me radhë askush nuk e njihte autorin me emrin “Tom Kuka” edhe pse u përfol që ai ishte një njeri i medias dhe shumë i njohur me publikun. Pas botimit të librit “Hire mbi Kalldrëm”, Tom Kuka mbeti anonim në imazhin e tij. Por, pas suksesit të librit të parë një tjetër roman “Gurët e vetmisë” do të vinte për lexuesin shqiptar nga i njëjti autor me pseudonimin e Tom Kukës. Po kush është Tom Kuka? Në këtë roman të dytë, autori mendoi që të zbulojë identitetin e tij. Ai është Enkel Demi, i cili ishte i ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të na rrëfyer misterin e imazhit e tij, por edhe për romanin më të ri “Gurët e Vetmisë”.

https://youtu.be/RFi_iE_O5Hg?t=6m42s

“Unë edhe nga nëna edhe nga babai jam nga Filati. Në romanin “Gurët e vetmisë” motivet janë nga Çamëria. 

Normalisht janë njerëz të shpërngulur nga Çamëria, por jo me dëshirë. Nëna ime nuk lejohet të hyjë në qytetin e lindjes edhe pse ka ardhur vetëm 1 vjeç në Shqipëri. Padyshim ti jeton nën këtë lloj ideje. Këtë libër kam nisur ta shkruaj në vitin 1992-93, por hoqa dorë sepse libri ishte shumë patetik, kishte shumë inatë, shumë mllef dhe e kishte të përcaktuar mirë kush ishte personazhi pozitiv dhe ai negativ. Iu riktheva librit, por pa u referuar tek ai i pari dhe ribëra historinë. Ndryshe nga sa pritej kjo nuk është një histori urrejtje, në asnjë vend nuk përmend gjakësorët dhe nuk i mallkoj ata. Kjo është një histori familjare që kërkon të tregojë se si njerëzit në rrethana të caktuara politike mund të humbin gjithçka kanë ndërtuar brez pas brezi. E shkruajta tani këtë histori sepse më duket shumë e ngjashme me ata që janë detyruar të lënë gjithçka dhe të largohen nga vendi i tyre. Është një roman për shqiptarët, të cilët shpeshherë janë të detyruar të shpërngulen. Është edhe një roman për të tjerët që kanë fate të ngjashme, përmasat pastaj mund të jenë të frikshme. Tek e fundit Çamëria është një krahinë e madhe sa Kosova, por duke parë se çfarë ndodh në Irak tragjedia jonë rrudhet pak dhe bëhet më e vogël. Shteti grek në pjesën më të madhe është një shtet që është themeluar nga shqiptarët e Çamërisë dhe arvanitët. Në parlamentin grek gjuha zyrtare ka qenë shqipja, kjo është e faktuar dhe pjesa dërmuese kanë qenë shqiptarë. Në vitin 1913 në përroin e Selanit vriten krerët e familjeve të mëdha çame dhe deri në 1944 ka disa tentativa për të shkulur shqiptarët nga këto troje. Në vitin ’44 pastaj shqiptarët janë vrarë, prerë dhe larguar forcërisht. Unë jam pjesë e një fisi shumë të madh. Por babai im ka qenë 4 vjeç dhe nëna ime 1 vjeç kur kanë ikur nga Shqipëria. Ata kanë ardhur me idenë që do të ikin prap, nuk kishin dëshirë të qëndronin këtu”,

tha Demi.

Gjatë emisionit ai po ashtu zbuloi arsyen se përse kishte zgjedhur të ishte Tom Kuka si shkrimtar.

“Kur botova librin e parë të them të drejtën nuk doja të botoja. Kisha frikë nga paragjykimi dhe mos nuk më merrnin seriozisht dhe dyshoja në cilësinë e letërsisë time. Dhe vendosa të dal me emrin Tom Kuka. Zgjodha emrin Tom Kuka sepse që nga 1992-93 Tom Kukën e kam patur personazh në vende të ndryshme dhe meqë kam kaluar një periudhë në Shkodër edhe nga pikëpamja e muzikalitetit më përshtatej dhe vendosa këtë”,

tha Demi.

/tvklan.al