Ish-Presidenti francez Nicolas Sarkozy është arrestuar, pas akuzave se ka marrë miliona euro fonde të paligjshme për fushatën e tij zgjedhore nga regjimi i diktatorit të ndjerë libian, Muamar Gaddafi.

Sarkozy, i cili ishte President i djathtë i Francës nga viti 2007 në vitin 2012, u mor në pyetje fillimisht të martën në mëngjes në një stacion policor në Nanterre, në veri-perëndim të Parisit, si pjesë e një hetimi nëse Gaddafi dhe të tjerë në Libi financuan ilegalisht fushatën e tij zgjedhore në vitin 2007.

Hetimi është me shumë mundësi skandali i financimeve që ka bërë më shumë bujë në Francë, në dekadat e fundit. Sarkozy ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i konsideruar pretendimet si ‘groteske’.

Kjo është hera e parë që Sarkozy është marrë në pyetje nga policia mbi akuzat. Një hetim francez për financimin e dyshuar të fushatës së paligjshme nga Libia u hap në vitin 2013. Hetimi nuk përcaktoi askënd si të dyshuar dhe u përqendrua në akuzat për korrupsion, ndikimit të trafikimit, falsifikimit, shpërdorimit të fondeve publike dhe pastrim parash.

Hetuesit po investigojnë pretendimet se regjimi i Gaddafit i dha fshehurazi Sarkozy-së 50 milionë euro për fushatën e vitit 2007. Një shumë e tillë do të ishte më shumë se dyfishi i limitit të fushatës ligjore, që ishte 21 milionë euro në atë kohë. Financimet e dyshuara gjithashtu shkelin rregullat franceze kundër financimit të huaj dhe deklarimin e burimit të fondeve të fushatës.

Në Prill të vitit 2012, një faqe hetimore interneti, e quajtur

Mediapart,

botoi një dokument ku thuhej se ishte nënshkruar nga një figurë e lartë libiane, duke deklaruar se regjimi miratoi një pagesë prej 50 milionë euro për të “mbështetur” fushatën zgjedhore të Sarkozy.

Më parë Sarkozy dhe Claude Guéant, një aleat i ngushtë dhe ish-ministër, pohuan se dokumentet e marra nga

Mediapart

ishin të rreme. Një gjykatë franceze më vonë deklaroi se disa dokumente ishin autentike, duke lejuar që ato të përdoreshin për një hetim më të gjatë.

Guéant është zyrtarisht nën investigim për mashtrime të organizuara në hetimin e Gaddafit pasi dyshohet se ka marrë një transfertë bankare prej 500,000 eurosh, të cilat ai pretendonte se i kishte marrë nga shitja e dy pikturave.

Sarkozy, 63 vjeç, deri më tani nuk kishte pranuar t’i përgjigjej një thirrjeje në gjyq, për çështjen.

Hetimi duket se është përshpejtuar pasi Ziad Takieddine, një biznesmen i pasur franko-libanez i cili ishte afër regjimit të Gaddafit, tha për

Mediapart

në vitin 2016, që ai i kishte dorëzuar personalisht valixhet e mbushura me para nga udhëheqësi libian si pagesa për fushatën e Sarkozy.

Ai tha se kishte kryer tre udhëtime nga Tripoli në Paris në fund të vitit 2006 dhe në fillim të vitit 2007. Sa herë që udhëtonte kishte një valixhe që përmbante 1.5 milionë euro deri në 2 milionë euro. Ai tha se paratë iu dhanë nga shefi i ushtrisë së inteligjencës së Gaddafit.

Sarkozy kishte një marrëdhënie komplekse me Gaddafin. Menjëherë pasi u bë presidenti i Francës, ai e ftoi udhëheqësin libian në Francë për një vizitë shtetërore dhe e mirëpriti atë me nderime të larta. Por Sarkozy më pas vendosi Francën në anën e sulmeve ajrore të NATO-s kundër trupave të Gaddafit, që ndihmuan luftëtarët të rrëzonin regjimin e tij në vitin 2011.

Në Mars të vitit 2011, djali i Gaddafit tha për

Euronews

:

“Sarkozy duhet të kthejë paratë që pranoi nga Libia për të financuar fushatën e tij elektorale. Ne financuam fushatën e tij dhe ne kemi prova… Gjëja e parë që ne kërkojmë është që ky klloun t’i kthejë paratë popullit libian”.

Sarkozy i ka hedhur poshtë akuzat, pasi pretendimet e anëtarëve të regjimit libian erdhën si pasojë e pjesëmarrjes së tij në ndërhyrjen ushtarake të udhëhequr nga SHBA-të, që i dha fund qeverisjes 41-vjeçare të Gaddafit.

Sarkozy mund të mbahet për marrje në pyetje për 48 orë. Një tjetër ish-ministër dhe aleat i ngushtë i Sarkozy, Brice Hortefeux, u pyet gjithashtu nga policia të martën në lidhje me akuzat e Libisë.

Në Janar, Alexandre Djouhri, një biznesmen francez dhe i dyshuar nga hetuesit për menaxhimin e parave nga Gaddafi për të financuar fushatën e Sarkozy, u arrestua në Britani.

Djouhri u kthye në paraburgim në Shkurt, pasi Franca lëshoi një urdhër të dytë për arrestimin e tij, përpara një seance të caktuar për më vonë gjatë këtij muaji.

Është urdhëruar që Sarkozy të gjykohet në një financim në lidhje me fushatën e tij të dështuar të rizgjedhjes në vitin 2012, kur ai u mposht nga François Hollande. Ky rast, i njohur si “Affair Bygmalion” përqendrohet në një sistem të supozuar llogaritjesh të rreme, që përdoret nga zyra e Sarkozy-së, për të fshehur shpenzimet e mëdha të fushatës, kryesisht në mitingje të bujshme, të cilat kanë gdhendur reputacionin e Sarkozy si një “showman” politik. Sarkozy i ka mohuar të gjitha akuzat në këtë rast.

Burimi: The Guardian

Shqipëroi: tvklan.al