Qeveria ka nisur planin e testimit të sigurisë në pikat kufitare më të rëndësishme në vend, pas grabitjes që ndodhi dy javë më parë në aeroportin e Rinasit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ishte në portin e Durrësit, ku mori pjesë në një demostrim të masave që merren nga ana e njësisë së sigurisë në këtë port gjatë një momenti alarmi.

Belinda Balluku tha se qeveria po merr masa të shtuara sigurie në të gjithë pikat kufitare për të mbrojtur sigurinë kombëtare.

“Padyshim siguria në pikat kyçe, nevralgjike, të kufirit shqiptar, siç është porti dhe aeroportet apo pikat e tjera kufitare, janë një nga arsyet kryesore pse qeveria po ndërmerr masa për të qenë gjithmonë dhe më afër përsa i përket kujdesit që ne kemi për qytetarët por dhe për mbrojtjen e sigurisë kombëtare”.

Porti i Durrësit është pika kufitare detare me fluksin më të lartë të udhëtarëve. Në 2018-ën përmes këtij porti kanë udhëtuar 440 mijë pasagjerë.

Tv Klan