Një tjetër ngjarje që tronditi vendin ditën e fundit të 2019-s, ishte sulmi me granatë në zyrën e Kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe. Autor i kësaj ngjarjeje të rëndë, ku mbetën të plagosur vetë Kryebashkiaku dhe sekretarja e tij, ishte ish-shoferi i Tushes, Gëzim Saraçi, i cili vijon të mbetet në arrati.

Shkaqet e ngjarjes së rëndë vijojnë të mbeten të pazbardhura. Megjithatë mbrëmjen e kësaj të enjteje, në studion e “Opinion”, paneli i të ftuarve foli për një marrëdhënie të vjetër miqësore mes Tushes dhe Saraçit, por edhe për debate të ashpra kohët e fundit. Kryeredaktori i “Klan Plus”, Mentor Kikia, e cilësoi këtë ngjarje si tepër të rëndë, mbi të gjitha pasi ndodhi në një institucion shtetëror.

Kikia vlerësoi si tepër të rëndësishme që pyetjes “përse u sulmua Kryetari i Bashkisë nga shoferi” t’i jepet një përgjigje.

“Në Rrëshen dinim pse-në dhe nuk dinim kush, këtu dimë kush dhe nuk dimë përse-në. Për arsye shtetërore nuk ka ndodhur dhe nëse ajo e Rrëshenit është e rëndë për shkak të gjësë që është konsumuar në publik, kjo e Kryetarit të Bashkisë është edhe më e rëndë për një atentat që ka ndodhur brenda në zyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe pyetja që meriton absolutisht përgjigje është, përse u sulmua Kryetari i Bashkisë nga shoferi?”

I pyetur se cila është arsyeja e këtij sulmi Kikia tha: “Unë nuk kam prova përse, por nuk ishte një njeri që kishte një problem shtetëror me Kryetarin e Bashkisë, nuk ishte një atentat që lidhej me detyrën, pra Kryetari i refuzoi dikujt lejen e ndërtimit, një biznes a koncesion, etj, dhe ky u hakmor. Shoferi, siç ndodh rëndom në Shqipëri, për zyrtarin është njeriu më i besuar”./tvklan.al