Përse u vra Behar Sofia? Pistat e dyshuara për atentatin në kryeqytet



Përse u vra Behar Sofia? Pistat e dyshuara për atentatin në kryeqytet

10:04 25/02/2021

Behar Sofia 66 vjeç është personi që ka mbetur i vrarë nga atentati mafioz në mes të Tiranës pranë zonës së Piramidës.

Gazetari i Klan News, Edison Vatnikaj raporton se viktima ka qenë edhe në të kaluarën shënjestër e atentateve.

66-vjeçari Sofia ishte pronar i disa bizneseve, të cilat jo pak herë janë sulmuar me eksploziv.

Gazetari Vatnikaj mëson nga burimet policore se po verifikohet e shkuara e viktimës dhe problemet që ka patur. Nuk përjashtohet as pista e konflikteve për prishje të pazareve të drogës, megjithatë për momentin këto mbeten në kuadrin e dyshimeve.

Tvklan.al ka mësuar se Behar Sofia është person me precedent penal në fushën e lëndëve narkotike sa i përket trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas informacioneve, në vitet 2012-2013 ka qenë i shpallur në kërkim edhe nga Policia Shqiptare.

Kjo është edhe një foto e viktimës Behar Sofia 66 vjeç që ndodhet i shtrirë në trotuar vetëm pak sekonda pasi u qëllua me armë, kur ishte ende i plagosur.

Kanë qenë kalimtarët e zonës të cilët njoftuan policinë se një person ishte i shtrirë në rrugë i plagosur.

Grupi hetimor dyshon se Sofia u qëllua nga një makinë në lëvizje me armë me silenciator, për shkak se në zonë nuk u dëgjuan të shtëna armësh.

Një tjetër pistë sa i përket dinamikës së ngjarjes ka të bëjë me faktin se dyshohet që 66-vjeçari të jetë qëlluar brenda një automjeti dhe më pas të jetë hedhur në rrugë nga autorët. /tvklan.al







Të ngjashme