Tetë persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë helmuar, si pasojë e rrjedhjes së gazit në jug të Indisë.

Rrjedhja në shtetin Andhra Pradesh thuhet të ketë ardhur nga fabrika e kompanisë, LG Polymers.

Mjekët kanë thënë se qindra persona janë dërguar nëpër spitale – shumica duke u ankuar për ndjenjën e djegies në sy dhe problemeve me frymëmarrje.

Incidenti, i cili ka ndodhur rreth orës 3:00 të mëngjesit, me orën lokale, ka ndodhur për shkak të neglizhencës, kanë thënë zyrtarët.

Rrjedhja ka ndodhur teksa fabrika është rihapur për herë të parë prej 24 marsit, kur India ka hyrë në izolim të plotë, me qëllim të luftimit të koronavirusit.

Ministri për Industri shtetërore, Goutam Reddy ka thënë për BBC-në se fabrika nuk ka ndjekur procedurat e udhëzimet e dhëna për rihapje.

Teksa gazi është shpërndarë, banorët kanë vrapuar nëpër shtëpitë e tyre në panik. India ka histori tragjike me rrjedhje të tilla të gazit.

Më 1984, një rrjedhje kimike nga një fabrikë në qendër të qytetit Bhopal ka lënë të vdekur mijëra persona, duke u konsideruar si katastrofa më e keqe industriale në botë.

Më shumë se 35 vjet më vonë, viktimat kanë thënë se fëmijët ende lindin me probleme shëndetësore për shkak të efekteve të atij shpërthimi. /REL