29-vjeçari Aleksandër Senaj, i njohur edhe me mbiemrin Ndoj u arrestua nga Policia në përpjekje për t’u larguar ilegalisht drejt Italisë.
Ai ishte shpallur në kërkim që në Shtator pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë një shtetase rumune në fshatin “Dukagjin i Ri” në Krujë, duke qëlluar me armë drejt makinës me të cilën ajo udhëtonte.
1 muaj më vonë edhe pse në kërkim, sipas Policisë, 29-vjeçari në bashkëpunim me një tjetër kanë dhunuar me qëllim gjobëvënien pronarin e një karburanti në rrugën e Kombit në Mirditë.
Gjatë arrestimit, atij iu gjet një pistolte me plumb në fole, gati për qitje.
Njoftimi i Policisë:
Në kuadër të procedimit penal të vitit 2024, të nisur nga Komisariati i Policisë Mirditë, bazuar në informacionet e grumbulluara përgjatë hetimit dhe inteligjencës policore, u organizua dhe finalizua me sukses operacioni policor i koduar “THE END “, ku u bë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim, (person me rrezikshmëri të lartë shoqërore):
Aleksandër Senaj alias Aleksandër Ndoj 29 vjeç, banues në Dukagjin i Ri, Thumanë, Krujë, i dënuar më parë në shtetin Italian për vjedhje me armë. Ky shtetas po përgatitej për tu larguar në mbrëmje ilegalisht drejt Italisë.
Gjatë operacionit, në momentin e kapjes, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale këtij shtetasi i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 (një) armë zjarri pistoletë Bereta, me fishek në fole gati për qitje por nuk ka mundur dot të reagojë pasi ndërhyrja e shërbimeve të Policisë ka qenë e befasishme dhe e shpejtë.
-Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Mirditë për veprat penale të “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Plagosje e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarakë”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 15.10.2024.
29-vjeçari në bashkëpunim me shtetasin K.B alias K.M, (i cili aktualisht ndodhet në Itali dhe është shpallur në kërkim) në ambientet e një subjekti privat (karburant), në rrugën e Kombit në Mirditë, kanë goditur me sende të forta dhe kanosur me armë zjarri për dhënie pasurie pronarin e këtij subjekti shtetasin A.Xh.
-Gjithashtu ndaj shtetasit A. S., alias A.N, në shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në Burg”, në mungesë, për veprat penale të “Vrasjes me paramendim” e ngelur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarri dhe municioneve luftarak”, pasi:
Më datë 11.08.2024, në vendin e quajtur Dukagjin i Ri, Krujë, ku ky shtetas ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me të cilin udhëtonte një shtetase rumune.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
/tvklan.al