Bizneset kërkojnë shtyrje të skemës edhe për vitin e ardhshëm

Dy instrumentet e qeverisë për t’i ofruar ndihmë biznesit të madh nga kriza që shkaktoi Covid-19 ishin garancitë sovrane për paga dhe kapital qarkullues.

Garancia që ofronte shteti për të dhënë kredi për pagat e punëtorëve ka përfunduar, duke arritur një vlerë lëvrimi kredie prej 52 milionë Eurosh, nga 90 milionë Euro që ofronte në total kjo skemë, ndërsa më pak i sukseshëm ka qenë instrumenti i garancisë për kapital pune.

“Ka patur refuzime nga bankat dhe problematika rrugës në përzgjedhjen e bizneseve”, thotë administrator i Konfindustria, Gjergj Buxhuku.

Në total nga 120 milionë Euro linjë kredie, janë dhënë vetëm 40% e fondeve, 51 milionë Euro për 200 biznese, ndërsa 100 ndërmarrje të tjera janë refuzuar. Bizneset kërkojnë që shuma e tepruar nga ky instrument të zgjatet edhe për vitin e ardhshëm.

“Që të funksionojë tamam, pasi sot ka biznese që ndodhen në vështirësi likuiditeti për shkak të vonesave në pagesën e faturave, ky instrument duhet të shtyhet edhe për vitin e ardhshëm”.

Nëse do të llogaritet shuma e dhënë për skemat e garancisë sovrane prej 103 milionë Eurosh dhe paketat e qeverisë për pagat e luftës dhe mbështetjen familjeve me ndihmë ekonomike, në total ndihma e disbursuar nga buxheti i shtetit për ekonominë e prekur nga pandemia deri tani kap vlerën e 270 milionë Eurove, ose sa 2.1 % e prodhimit kombëtar.

Tv Klan