Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

800 mijë dollarë dhuratë, kanë mjaftuar për Spitalin Pediatrik Tiranë. Dy godinat e Pediatrisë, të cilat vuanin prej vitesh rrënimin, sot përurohen pas rikonstruksionit nga Organizata Jo Qeveritare Cins. Ky projekt i nisur në fund të vitit ’99 është financuar nga programi EKO. Përveç repartit të Hematonkologjisë, janë rregulluar edhe mjediset ku do të vendoset aparati i munguar prej vitesh, ai i skanerit.

Kjo dhuratë është nga spitali i komunës së Pisas në Itali, i cili do të sherbejë për ekzaminimin e hollësishëm të nevojave të popullatës, ndërsa ministri sqaron përkufizimet.

Leonard Solis, Ministri i Shëndetësisë:- “Skaneri që vjen për herë të parë pas kaq vjetësh dhe që ne do të mblidhemi sërish nesër për të përcaktuar të gjitha mekanizmat, për të përcaktuar jetëgjatësinë e këtij skaneri, sepse është një punë e vështirë, do të ketë dyndje dhe Ministria e Shëndetësisë, së bashku dhe me drejtorinë e QSUT-së, do të përcaktoj rregullat e hyrjes dhe kostoja që do të përdoret”.

Kjo duket koha më e mirë e lulëzimit në pamje dhe paisje të Pediatrisë. Komuniteti Europian së bashku me vendet e tjera do të ndihmojnë mjekësinë shqiptare. Ky është një ndër 640 projektet që ky komunitet ndërmerr në vend./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti