Nderohen 43 viktimat e tragjedisë së 14 Gushtit 2018

Kjo është ura e re e madhe San Giorgio e Xhenovas, ndërtimi i së cilës përfundoi në të njëjtin muaj kur dy vite më parë ndodhi tragjedia e shembjes së të vjetrës që quhej Morandi.

Ura e re është e gjatë 1 kilometër e 67 metra, një arterie e rëndësishme autostradale për transportin e njerëzve dhe mallrave që lidh Italinë me Francën. Ura kalon mbi lumin Polçevera. Rindërtimi i saj arriti një kosto prej 200 milionë eurosh. Këtij buxheti 6 milionë euro i janë akorduar nga autoritetet lokale të Xhenovas, ndërsa pjesa më e madhe e fondit u dha nga koncensionari “Autostrade per l’Italia” që u shpall përgjegjëse për keqmenaxhim dhe mangësi në mirëmbajtjen e urës së vjetër Morandi.

Përurimi i saj u zhvillua përmes një ceremonie të veçantë mbrëmjen e hënës ku ishin të pranishëm, presidenti Serxho Matarela dhe kryeministri Xhuzepe Konte.

Veç përurimit të urës së re, ceremonia shërbeu edhe si homazh për 43 viktimave, ndër ta dy shqiptarë, të cilët qarkullonin mbi urë me automjetet e tyre në momentin tragjik të shembjes së një pjesë të saj paraditen e 14 Gushtit të 2018.

Në nderim të tyre, një formacion i avionëve ushtarakë italianë shënjoi në qiell flamurin tre ngjyrësh kombëtar. Në të njëjtën ditë, edhe nderimin për ta e përcolli edhe vetë natyra përmes këtij ylberi. Shembja e mbetjeve të urës së vjetër kushtoi 19 milionë euro.

Tv Klan