Ky është një nga projektet e rralla kineze në Evropë, që ka kaluar një proces të rregullt tenderimi. Ura e re e gjatë 2.4 kilometra lidh dy zona të bregdetit kroat, të ndara në vite nga një pjesë e vogël e territorit të Bosnje e Hercegovinës.

Një korporatë kineze fitoi në vitin 2018 në konkurrencën ndërkombëtare për ndërtimin e urës me një kosto prej 420 milionë eurosh. 85% e kësaj shume u financua nga Bashkimi Evropian. Për mijëra udhëtarë nga Ballkani perëndimor, por edhe nga shtete të tjera që kalonin në rrugë tokësore nga Shqipëria në Malin e Zi e më tej drejt Kroacisë, disa pika kufitare të Bosnje-Hercegovinës kanë shtuar orët e pritjes dhe procedurat burokratike. Ura e re i ka eliminuar tashmë këto barriera edhe pse kufijtë tokësorë ekzistojnë ende në këtë zonë të kontinenentit tonë. Kjo urë në gadishullin Pelješac i jep vazhdimësi territorit të Republikës së Kroacisë i ndërprerë nga një korridor i ngushtë që e çon Bosnjë -Hercegovinën në Neum.

Gjatë ceremonisë së përurimit të kësaj ure, Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, tha se me këtë investim janë realizuar interesat strategjike të Kroacisë për të lidhur dy brigjet e saj në detin Adriatik.

“Unë me të vërtetë mendoj se kjo është një ngjarje e madhe për popullin kroat, për miqtë tanë në Bosnjë dhe Hercegovinë, për kroatët atje. Një ngjarje e madhe që ne arritëm ta realizojmë jo vetëm si një ëndërr, jo vetëm me ndihmën e atyre që kanë punuar për gati 30 vitet e fundit për urën, por me ndihmën e miqve tanë në Evropë, miqve tanë në Kinë”.

Zyrtarët e Bosnjës nuk ishin të kënaqur kur filloi ndërtimi, duke pretenduar se ura që anashkalon territorin boshnjak, shkel qasjen sovrane të këtij shteti në Adriatik, por Plenkoviç tha se ura nuk do të ndajë, por do të lidhë njerëz dhe kombe. Ideja e ndërtimit të urës u shpall për herë të parë në 1997. Rrugët hyrëse dhe tunelet do të përfundojnë deri në muajin Korrik të vitit 2022.

Ura ka gjashtë shtylla kryesore dhe trembëdhjetë hapësira prej çeliku me një gjatësi prej 72 deri në 285 metra. Thellësia e detit nën urë është pothuajse konstante 27 metra, dhe për shkak të tokës së përbërë nga shtresa të trasha balte, e gjithë ura bazohet në tuba çeliku njëqind metra të gjatë me një diametër prej dy metrash të shtyrë në shtratin e detit. Vendndodhja e urës i nënshtrohet erërave të forta dhe është në një zonë me aktivitet të rëndësishëm sizmik. 

Klan News