Avokati: Nuk ka mashtrim, por mosrakordim

Gjykata e Korçës la në qeli agjenten e shërbimit postar, Alma Beqiri, e vënë nën akuzë për mashtrim me pasoja të rënda. Prokuroria pretendon se Beqiri ka përvetësuar 3 milionë euro përmes ngritjes së një skeme mashtrimi, duke mos arkëtuar vlerat monetare që merrte nga klientët, për pakot.

Në seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë, 46-vjeçarja ka hedhur poshtë akuzat e prokurorisë duke deklaruar se ka qenë e rregullt në punën e saj.

Nëpërmjet avokatëve të saj, Alma Beqiri kërkoi një masë sigurimi më të butë, që nuk u mor parasysh nga gjyqtari i masës së sigurisë.

Denoncimin për rastin e ka bërë vetëm kompania e shërbimit postar privat. Sipas përfaqësueve të postës private, ata i kanë kërkuar disa herë punonjëses së tyre që të arkëtonte paratë që merrte nga klientët, por ajo nuk ka pranuar se përvetësonte para. 46-vjeçarja u shërbente kryesisht bizneseve të ndryshëm në juglindje të cilët merrnin porosi përmes kësaj poste.

Nga hetimet rezultoi se Beqiri e zbatonte skemën e mashtrimit prej 2 vitesh ndërsa paratë që ka marrë i ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe aktivitet biznesi. Sipas organit të akuzës, një pjesë të pasurive Alma Beqiri e kishte regjistruar  në emër të familjarëve të saj. Gjatë aksionit të kapjes së saj, policia i sekuestroi vetëm 2 automjete ndërsa vijojnë hetimet pasi ka dyshime se në skemën e mashtrimit 46-vjeçarja ka patur edhe bashkëpunëtorë.

Tv Klan