Kerri per 5-vjetorinSekretari amerikan i Shtetit, John Kerri, në një mesazh urimi në emër të presidentit Barak Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, ka uruar përvjetorët e zgjerimit të Aleanës së Atlantikut të Veriut gjatë dekadave të fundit.

“Jam krenar të kremtojmë një moment të rëndësishëm – shkruan Kerri, për historinë dhe forcimin e mëtejshëm të kësaj organizate”.

Në 12 mars të 1999 Aleancës iu bashkuan në valën e parë të zgjerimit Hungaria, Polania dhe Republika Çeke; në 29 mars të 2004 u anëtarësuan Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia; ndërsa prej 1 prillit të 2009 Shqipëria dhe Kroacia u bënë 2 vendet më të reja anëtare të kësaj Aleance. Duke përmenduar këta përvjetorë, “NATO është më e fortë sot, për shkak të vlerave të përbashkëta që shtetet anëtare ndajnë” – thekson sekretari Kerri në mesazhin e tij.

Sipas kryediplomatit amerikan, politika e dyerve të hapura të Aleancës ka ndikuar në zhvillimin e demokracisë, prosperitetit dhe stabilitetit në Europë, duke hapur të tjera mundësi për forcimin e stabilitetit në të gjithë globin tonë. Kerri nënvizon në mënyrë të veçantë guximin dhe sakrificat e ushtarakëve të këtyre vendeve në operacionet e Aleancës në Afganistan. Ndërsa riafirmon vullnetin e Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera të NATO kundrejt çdo vendi europian që kërkon të kontribuojë në sigurinë e kontinentit dhe më gjerë, duke u anëtarësuar në këtë organizatë. Sipas Kerri “sfida e sotme është që të punojmë për një Europë të lirë dhe në paqe – dhe për të përdorur fuqinë e Aleancës më të fortë të planetit, për të nxitur paqen dhe sigurinë në të gjithë botën”.

Me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani i ka dërguar një letër falenderimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, duke i shprehur atij  mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur dhe besimin e madh që Shtetet e Bashkuara i dhanë dhe vazhdojnë të tregojnë ndaj Shqipërisë. Kreu i shtetit i dërgoi një letër falenderimi edhe Sekretarit të Përgjithshëm, Anders Fogh Rasmussen.