Meta kërkon pezullimin e procesit

Në limitet e afateve të përcaktuara nga Kushtetuta për të zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës ka kërkuar pezullimin e procesit.

Në një letër drejtuar Kuvendit, kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Avokates së Popullit, kreu i shtetit kërkon që të jetë parlamenti i pari institucion që të përzgjedhë në listën me tre kandidatë, të dërguar nga KED, për të plotësuar vakancën e parë dhe më pas të jetë Presidenti.

Meta thotë se ai e ka përzgjedhur një kandidat, duke dekretuar Besnik Muçin, si anëtarin që plotësonte vakancën e krijuar nga dorëheqja e Sokol Berberit. Muçi ndërkohë është në proces vetingu.

Dhe sipas tij, me kërkesën për të zgjedhur ai i pari anëtarin tjetër, KED ka shkelur procedurën. Kushtetuta përcakton që si parlamenti ashtu dhe Presidenti, brenda 30 ditëve nga marrja e emrave të kandidateve të listuar në bazë të vlerësimit nga ai maksimali të përzgjedhin anëtarin që ata vlerësojnë. Anëtarët e përzgjedhur nga parlamenti duhet të marrin 84 vota.

Në të dyja rastet, si për Presidentin, si për Kuvendin, në rast se nuk përzgjidhen ose nuk arrihen kuorumi prej 84 votash, automatikisht një ditë pas afatit 30 ditor, kandidati i parë në listë bëhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti duhet të zgjidhte brenda datës 8 Nëntor anëtarin e dytë, siç e parashikon Kushtetuta, ndërsa parlamenti do të mblidhet të hënën për të votuar 2 kandidatët e tjerë që i takojnë për Gjykatën Kushtetuese.

Tv Klan