Të dërguarit e posaçëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët e presidentit francez Emannuel Macron, të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni pritet të qëndrojnë sot në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për të nxitur bisedimet ndërmjet palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e propozimit evropian që u i njohur si nisma franko-gjermane.

Propozimi mes tjerash synon të sigurojë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kosova po përballet me trysni ndërkombëtare që të hedh hapa për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është edhe çështja më e diskutueshme në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet, tha gjatë një vizite në rajon javën e kaluar se Asociacioni duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ai është një detyrim ligjor. Zoti Chollet tha se Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin një organizimin të tipit Republika Serbe, që është edhe shqetësimi i autoriteteve në Prishtinë lidhur me Asociacionin.

Diplomatët perëndimorë po kërkojnë nga Kosova që të hartojë një propozim për mënyrën e funksionimit të këtij asociacioni.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha javën e kaluar në Vjenë se çështja e Asociacionit mund të trajtohet në kuadër të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se Kushtetuta e Kosovës, i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe në bazë të planit të ish të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari.

“Fjalia e parë e atij plani dhe asaj zgjidhje që është hartuar nga zoti Ahtisari dhe zoti (Albert) Rohan thotë që Kosova duhet të jetë shoqëri shumë etnike”, tha ai duke nënvizuar se Asociacionet apo institucionet një etnike nuk janë në frymën e Kushtetutës.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Përfaqësuesit politik të serbëve dhe autoritetet në Serbi thonë se nuk do të kthehen në institucione derisa të formohet Asociacioni i komunave serbe në përputhje me marrëveshjen e parë të arritur në Bruksel.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha gjatë qëndrimit në Forumin ndërkombëtar ekonomik në Davos të Zvicrës se pret bisedime të vështira gjatë vizitës së diplomatëve amerikanë dhe evropianë të premten duke nënvizuar se para Serbisë ndodhet viti më i vështirë në historinë e saj bashkëkohore.

Për gati 12 vjet Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe kanë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, por sfidë mbetet zbatimi i tyre që ka çuar shpesh edhe në tensione të larta si ato të vitit që lamë pas. /VOA