Joe Biden urdhëron uljen në gjysmë shtizë të flamujve teksa numri i të vdekurve nga Covid shkoi në 500 mijë

Presidenti amerikan Joe Biden e ka cilësuar një moment pikëllues humbjen e 500 mijë jetëve nga koronavirusi në të gjithë vendin. Së bashku me gruan e tij ai mbajti një minutë heshtje nga Shtëpia e Bardhë, teksa nderoi edhe punën e bluzave të bardha të cilët po kalojnë momente të vështira.

“Unë u bëj thirrje të gjithë amerikanëve që të kujtojnë ata që kemi humbur dhe ata që kemi lënë mbrapa. I them të gjithëve që të veprojnë, të respektojnë rregullat, të mbajnë maskat dhe të vaksinohen kur të kenë rradhën. Për mua, rruga përmes hidhërimit, është gjetja e qëllimit,” u shpreh Biden.

Presidenti urdhëroi që të gjithë flamujt të ulen në gjysmë shtizë për pesë ditët e ardhshme. Në Shtëpinë e Bardhë, ai hapi fjalimin e tij duke vërejtur se numri i vdekjeve amerikane nga Covid ishte më i lartë se numri i të vdekurve nga Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Vietnamit së bashku.

Qasja e Biden ndaj pandemisë është e ndryshme nga paraardhësi i tij, Donald Trump, i cili hodhi dyshime mbi ndikimin e virusit vdekjeprurës dhe u pa se kishte politizuar mbajtjen e maskave dhe masave të tjera të nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit.

Në Uashington, kambanat në Katedralen Kombëtare ranë 500 herë, një herë për çdo 1.000 amerikanë të humbur gjatë pandemisë. 28.1 milion infeksione të konfirmuara të SHBA janë pothuajse dyfishi i Indisë së dytë, që ka shifrën më të lartë (11 milion) dhe Brazilit (10.1 milion).  Sipas shkencëtarëve përhapja e varianteve të reja do e intesifikojë gjithnjë e më shumë situatën nga Covid 19. Të paktën 90,000 amerikanë të tjerë pritet të kenë vdekur nga virusi deri në 1 Qershor. 

Jetëgjatësia mesatare e amerikanëve ka rënë me një vit të plotë për shkak të Covid-19. Ndryshimi ka qenë më i mprehtë midis pakicave racore, të cilët janë prekur në mënyrë disproporcionale nga virusi vdekjeprurës.

Burrat me ngjyrë pësuan rënien më të madhe, me jetëgjatësinë që u ul me tre vjet midis Janarit dhe Qershorit 2020, po ashtu edhe burrat hispanikë panë një rënie të jetëgjatësisë prej 2.4 vjet gjatë asaj periudhe.

Klan News