Peshëngritja me sytë nga Olimpiada



Peshëngritja me sytë nga Olimpiada

16:00 13/09/2019

Synohen pikë në Botërorin e Tajlandës

Në botërorin e Peshëngritjes që do të mbahet këtë muaj në Tajlandë synimi kryesor i sportistëve shqiptarë është grumbullimi i sa më shumë pikëve që vlejnë për kualifikimin në Lojërat Olimpike të vitit 2020. Erkand Qerimaj, i cili e ka një medalje bronzi në përfaqësimet e tij në botëror, po i numëron me kujdes pikët e fituara në garat e zhvilluara së fundi.

“Deri në fund të kualifikimit duhet të bëjmë minimumi gjashtë gara, me rezultat të përafërt me atë të Europianit dhe Botërorit të kaluar. Dihet që pesha 81 kilogramë ka pjesëmarrjen më të madhe, por shpresojmë që të shkojë gjithçka mirë”.

Në peshën deri 81 kilogramë do të ketë si kundërshtar edhe Daniel Godellin, me të cilin stërvitet çdo ditë në palestrën që ndodhet në kompleksin olimpik në Tiranë. Sportistët shqiptarë nuk duan të humbasin ritmin. Briken Çalja, medalist në Europianin e fundit për peshën deri 73 kilogramë, do të ruajë formën e mirë që gëzon.

“Në kampionatet Europianë dhe Botërorë kam marrë pikë maksimale, por dua që të vazhdoj me të njëjtin ritëm”.

Shqipëria do të marrë pjesë me 4 peshëngritës në një aktivitet që plotësohet nga Krenar Shoraj në peshën deri 89 kilogramë, fitues i medaljes së bronzit në Europianin e fundit. Në botërorin që do të nisë më 18 Shtator janë më shumë se 700 garues nga 105 vende të botës.

Tv Klan







Të ngjashme