Peshku merluc dhe ton me sasi të madhe mërkuri

Peshku merluc dhe ton me sasi të madhe mërkuri

22:19 08/08/2019

Kujdes i veçantë për gratë shtatëzëna dhe fëmijët e vegjël

Ndryshimet e klimës dhe peshkimi i tepruar kanë efekt mjaft të dëmshëm. Një ndër ta është rritja e nivelit të mërkurit tek peshku merluc dhe ton. Koncentrimi i lartë i kësaj substance mund të jetë shumë e rrezikshme, veçanërisht për fëmijët dhe të porsalindurit, nënat e të cilëve konsumojnë peshk gjatë shtatëzanisë.

Alarmi mbërrin nga një studim i Universitetit Harvard dhe është publikuar në revistën shkencore Nature. Nga statistikat rezulton se në 3 dhjetëvjeçarët e fundit, koncentrimi i mërkurit është rritur me 23% tek merluci, dhe 27% tek peshku ton, të dy lloje këto që konsumohen mjaft në tryezat e njerëzve.

Kjo substancë konsiderohet e rrezikshme për shëndetin e njeriut, pasi mund të shkaktojë dëme në tru dhe në sistemin nervor. Sipas një prej autorëve të studimit, gjatë shtatëzanisë dëmi është akoma më akut në rastin e konsumit në tremujorin e tretë, pasi kjo kohë përkon edhe zhvillimin e trurit.

Deri më sot grave shtatëzëna i është këshilluar të mos konsumojnë peshk shpatë, madje mjekët sugjeronin konsumin e merlucit si ushqim i pasur me proteina të çmuara për zhvillimin e fëmijës. Mirëpo pas analizave të fundit rezulton se duhet ndalur konsumi i këtij peshku, pasi në të janë gjetur nivele të larta mërkuri, jashtë çdo parashikimi.

Klan Plus

Të ngjashme
UKT