Manjola është vajza e madhe e një familjeje me pesë fëmijë, tri vajza e dy djem. Kujtimet e lidhura me historinë e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan nisin rreth moshës 7-vjeçare. Manjola rrëfen me keqardhje sesi nëna ushtronte dhunë ndaj saj vetëm pse nuk pranonte të bënte punët e shtëpisë.

Një ditë, pasi kishte ikur për t’i shpëtuar dhunës dhe kthehet në shtëpi, Manjola pëson një aksident prej të cilit ra një javë në gjendje kome.

Manjola: Historia ime vazhdon që në moshën 7 vjeçe kur unë kam vazhduar të kuptoj. Një ditë, ditë e diel që të nesërmen vazhdoja klasën e parë, më thërret mami si nënat që “vazhdo bëj punët se do të shkosh në derë të huaj” dhe unë si fëmijë 7 vjeç thosha që jo nuk mundem, pse vetëm unë? Si të gjithë fëmijët që më thërrisnin shokët, shoqet “hajde se do të luajmë” dhe kur unë i shikoja që luanin ata dhe unë përfshihesha në punët e një familjeje…më rreh dhe unë për t’i shpëtuar, iki.

Ardit Gjebrea: Kjo ishte hera e parë që të rrihte mami?

Manjola: Mbase këtu më kujtohet mua, do të ketë ndodhur më përpara, nuk e di. Aty largohem se aty kisha babin me bagëti. Kur kthehemi, para se të errësohe,j në shtëpi rrija gjatë gjithë kohës mbrapa babit nga frika se mos më rrihte mami. Aty më thërret, më thotë që “hajde se nesër do të vazhdojë shkolla, klasa e parë dhe të të blej një palë sandale”. Unë thosha jo se ti do të më rrahësh. Më thoshte “jo nuk do të të rrah, hajde se është ky xhaxhi këtu që të blejmë sandale”. Unë kundërshtova, deri në fund që e pashë vendosa të shkoj. Në momentin që shkoj, ishte një e tatëpjetë, më hyn diçka në këmbë se isha zbathur, kisha ikur zbathur nga shtëpia. Ulem për të hequr  gjembin, çfarë më kishte hyrë në këmbë, aty më vjen një karrocë me gjithë kalin që më kap kali, më fut poshtë karrocës dhe aty nuk mbaj mend asgjë. Më çon në Lushnje babi, nga Lushnja në Tiranë. Në Tiranë kam ndenjur 7 ditë në gjendje koma. Tha doktori që “fatmirësisht nga mosha që ka, që është në zhvillim, nuk ka probleme”.

Edhe pas kësaj ngjarjeje, Manjola rrëfen se dhuna prej nënës nuk u ndërpre./tvklan.al