E gjithë bota mbajti frymën të shtunën teksa panë që futbollisti danez Christian Eriksen u rrëzua në fushë krejt pa pritur. Ai pësoi arrest kardiak, një lajm që shokoi tërë botën me mjekët që u detyruan të jepnin ndihmën e parë në mes të fushës së blertë për ta sjellë në jetë.

Së fundmi, mesfushori i Interit ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me gjenden e tij. Ai ka treguar se është mirë dhe po kalon gjithë atë situatë të vështirë. Ai ndodhet në spital ku i është drejtuar fansave me një mesazh në rrjetet sociale.

“Përshëndetje të gjithëve. Falenderime të mëdha për urimet dhe mesazhet  tuaja nga e gjithë bota. Janë shumë rëndësishme për mua dhe familjen time. Jam mirë, duke parë rrethanat. Më duhet të ndërmarr disa ekzaminime të tjera në spital, por ndihem në rregull. Tani do të bëj tifoz për djemtë dhe Danimarkën në ndeshjet e ardhshme”, shkruante Eriksen në rrjetet sociale.

E gjithë bota mbajti frymën pasi ylli i Danimarkës dhe i Interit pësoi arrest kardiak në ndeshjen kundër Finlandës. Mjekët e ekipit mundën ta sillnin në jetë dhe më pas e nisën drejt spitalit. /tvklan.al