Peter Handke rrezikon të humbasë shtetësinë austriake. Mediat austriake shkruajnë se qeveria rajlonale e Karintias në Austri ka nisur verifikimet, nëse 76-vjeçarit i është lëshuar një pasaportë nga autoritetet e ish-Jugosllavisë, siç rezultoi në investigimin e kryer nga portali “The Intercept”.

Ja sesi i është përgjigjur Ministria e Brendshme austriake, interesimit të mediave nëse Handke do të vazhdojë të quhet shtetas austriak: “Kushdo që përvetëson vullnetarisht një shtetësi të huaj, e humbet shtetësinë austriake. Për të mos humbur shtetësinë austriake, autorizimi duhet të kërkohet me shkrim para marrjes së shtetësisë së huaj dhe të miratohet me vendim me shkrim”.

Sipas portalit “The Intercept”, Peter Handkes i është lëshuar pasaporta jugosllave në vitin 1999 nga ambasada e ish-Jugosllavisë në Vienë. Kjo përbën një shkelje ligji më vete, pasi sipas ligjeve të kohës, nuk lejohej dhënia e nënshtetësisë, personave që nuk kishin lindur në territoret e ish-Jugosllavisë.

Handke ka lindur në qytetin Griffen, në rajonin jugor austriak të Karintias. Dyshohet që pasaportën e ka marrë si shpërblim nga regjimi i Millosheviçit për mbështetjen që i ka dhënë në kohën kur e gjithë bota e akuzonte për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Tv Klan