Kanë kaluar 21 vjet nga një vrasje e ndodhur në vitin 1999 në rugën “Mine Peza” në qytetin e Tiranës. Tre të rinj u përfshinë në këtë ngjarje, ndërsa sot njëri prej tyre nuk jeton më, autori ka kryer dënimin me burg, kurse bashkëpunëtori i tij siç akuzohet nga Prokuroria, është ende prapa hekurave.

Manil Lika, pas një sherri me Petrit Markun, mbeti i vrarë me 5 plumba pistolete. Në vendimin e Prokurorisë, thuhet se Petrit Marku dhe bashkëpunëtori i tij Fran Ndreca qëndronin tek një lokal në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet kur nisi konflikti. Fillimisht pati një debat verbal mes Manil Likës dhe Petrit Markut. Më pas situata u agravua.

Manil Lika u largua dhe u rikthye pas disa minutash. Por, prapa lokalit e prisnin Petrit Marku dhe Fran Ndreca. Në vendimin e gjykatës thuhet se Fran Ndreca tërhoqi nga prapa duke e kapur nga flokët Manil Likës, ndërsa Petrit Marku e qëlloi me dy plumba pistolete, dhe më pas me 3 plumba të tjerë. Pas ngjarjes, Marku dhe Ndreca u arratisën për t’u arrestuar pas disa vitesh. Petrit Marku u kap në Belgjikë dhe u ekstradua në Shqipëri. Ai pranoi vrasjen dhe ka bëri 7 vite burgim pasi përfitoi nga amnistia. Ndërsa bashkëpunëtori i tij Fran Ndreca ndodhet ende në burg.

Në një intervistë për emisionin “Uniko” në Klan Plus nga Spartak Koka, Petrit Marku flet nga Belgjika ku po jeton aktiualisht duke treguar të vërtetën sipas variantit të tij.

Ai thotë se krimin e ka kryer vetë dhe Fran Ndreca nuk ka qenë me të bashkëpunëtor në vrasje.

Spartak Koka: Në vendimin e gjykatës për shtetasin Fran Ndreca thuhet se viktima Manil Lika ka ndaaluar makinën ditën e ngjarjes përballë lokalit “Florial” në rrugën “Mine Peza” për të lënë një porosi. Dhe për këtë ngjarje ka dëshmuar dhe një dëshmitar okular dhe thuhet që ai i ka rënë borisë dhe nga lokali ka dalë i pandehuri Petrit Marku, i cili i afrohet makinës, takohet me dëshmitarin Rakip pasi njiheshin më parë, dhe i zgjat dorën viktimës.

Petrit Marku: Po, e vërtetë. Ai s’ma dha dorën.

Spartak Koka: Po pse s’ta dha dorën?

Petrit Marku: Sepse më tha mua pse ti del nga lokali. Nuk i rashë borisë për ty. Borisë i biet për ku***. Edhe unë u ofendova edhe filluam debatin.

Spartak Koka: U zutë fizikisht në atë moment?

Petrit Marku: Jo, s’ka dalë nga makina. Kam ikur unë pasi ka ndodhur ngjarja. Kam marrë armën aty te vendi, e kam pritur aty. Ai ka ardhur me automatik, ndoshta dhe me pistoletë. Nuk e kam parë pistoletën sepse pistoleta mbahet në brez, por automatikun e ka pasur në dorë. Ka qenë jashtë sa ka dalë nga makina. Ka parkuar makinën ai përballë në të njëjtin vend ku ka ndaluar radhën e parë, në të njëjtin vend ardh me makinë mbrapsht në krah tjetër. Dhe plumbi del se s’dihet nga shkon.

Spartak Koka: Thuhet që juve ju ka ndihmuar Fran Ndreca?

Petrit Marku: S’ka lidhje fare Fran Ndreca me këtë ngjarje, fare. Është personale e imja, edhe unë familjarisht në shtëpinë time i kam çuar 3 pleq direkt atë natë apo të nesërmen nuk e mbaj mend mirë. Edhe të 3 pleqtë i kanë çuar llaf që për ngjarjen për djalin tuaj që ka vdekur, me një fjalë nuk mund të japim tani arsyet se si ka ndodhur, por viktimë ta ka shkaktuar djali im. I ka çuar llaf baba me 3 persona.

Spartak Koka: Në ’99 u tha që ka pasur një histori gjakmarrje.

Petrit Marku: Jo çfarë gjakmarrje. Ne kemi qenë miq se unë nusen e atij e kam kushërirë.

Spartak Koka: Po me Franin çfarë marrëdhënie ke?

Petrit Marku: Fshatarë, asnjë gjë tjetër.

Spartak Koka: Tek vendimi i Fran Ndrecës në ’99, thuhet që ata kanë dalë nga prapa lokalit, Petrit Marku dhe Fran Ndreca, dhe Fran Ndreca e ka kapur nga pas koke për flokësh viktimën duke mos i dhënë mundësi të lëvizte. Ndërkohë që Petrit Marku kishte armën pistoletë tip TT në dorë duke e patur të mbushur paraprakisht.

Petrit Marku: Fake, fake, fake. Vetëm më trego dëshmitarët kush e ka thënë këtë dhe unë të jap çfarë të duash. Është komplet rrenë. Sepse nuk ka lidhje, as unë vetë nuk e kam kapur atë. Vetëm thjesht sa ka ardhur e kam qëlluar, i kam thënë kë shan nga ro**. Ai ka tentuar të nxjerrë diçka, unë i kam gjuajtur. As nuk jam ndesh me dorë fare. Frani nuk ka qenë, janë të gjitha trillim. Mark Lika është i ati, ai ka qenë në shtëpi a ku di unë, nuk ka qenë në vendngjarje. Më trego mua emrat e dëshmitarëve, të të tregoj kush ka qenë në vendngjarje. Rakipi ka qenë kur ka ardhur Manili, Rakipi nuk është kthyer më. Rakipi nuk di gjë si ka ndodhur ngjarja.

Spartak Koka: Në vendimin thuhet se konflikti ka qenë për të arritur në ekzekutimin e viktimës dhe ekzekutimi është kryer me gjakftohtësi dhe egërsi.

Petrit Marku: Kush ma mati mua pulsin? Kush ishte doktor aty që më mati mua sa gjakftohtë isha… Kjo është një trillim se nuk mund ta parashikosh tjetrin sa gjakftohtë ka qenë.

Spartak Koka: Fajësia provohet me deklarimet e dëshmitarëve XXX, XXX, XXX dhe XXX.

Petrit Marku: XXX ka qenë kamariere dhe ajo ka marrë 1 vit burg për dëshmi të rremë. E ka parë ngjarjen që unë e kam vrarë atë dhe ka thënë s’ka qenë ky personi. Domethënë XXX bie poshtë nuk është dëshmitare sepse nuk ka dashur të dëshmojë dhe ka marrë 1 vit burg, kurse Rakipi ka qenë në vendngjarje vetëm në momentin kur Manili ka ardhur kur ka debatuar me mua dhe jo kur është vrarë. Vetëm një dëshmitare është në ngjarje, reale, dhe ajo është Engjëllushja. Është dëshmitare se ka qenë tek ngjarje, është kamariere. Nuk ka dëshmuar kundra meje.

Spartak Koka: 21 vite pas krimit. Fran Ndreca vazhdon të jetë në burg. Çfarë mund të themi sot 21 vite pas ngjarjes?

Petrit Marku: Unë që jam autori i ngjarjes jam dënuar, e kam rishqyrtuar dosjen, çështjen time. Kurse personi që nuk është fare në ngjarje, këtij personi nuk i kthehet çështja nga fillimi. Kodi i Procedurës Penale është që çdo çështje që dënohet në mungesë pa avokat duhet të rikthehet automatikisht në gjykim nga fillimi. Dhe atij personit nuk i është kthyer në rigjykim, kurse mua që unë jam autori i ngjarjes, mua më është rikthyer sepse unë e mora që këtu. Unë thashë nuk kthehem në Shqipëri nëse nuk rishqyrtohem nga fillimi sepse unë jam dënuar në mungesë.

Spartak Koka: 21 vite pas ngjarjes a ndjeni pendesë për krimin e kryer dhe a keni mesazh për familjen e viktimës?

Petrit Marku: Patjetër që ndjej pendesë, unë e jam penduar direkt e kam pranuar krimin. Thashë nuk është gjakmarrje, është vrasje në grindje e sipër. Edhe siç thashë unë, ashtu doli ngjarja sepse ishte e çastit në atë moment. Unë e kam pranuar, unë jam penduar. /klanplus