Debatet mes Petrit Vuksanit dhe Lekë Vuksanit kishin nisur që prej 1 muaji, kohë kur 51-vjeçari ishte kthyer nga Anglia. Kështu mësohet të jetë shprehur para hetuesve autori i vrasjes që tronditi dy ditë më parë Shkodrën.

Gazetarja Emi Kalaja raporton se 34-vjeçari Lekë Vuksani ka thënë se në momentin që viktima u kthye nga jashtë e nxori atë nga shtëpia, që i kishte lënë me qira. Debatet mes tyre, sipas autorit të dyshuar, kishin qenë për qiranë dhe faturat e energjisë elektrike dhe ujit..

Majtas viktima, Petrit Vuksani; djathtas autori i dyshuar Lekë Vuksani

Sa i përket ditës së krimit, Lekë Vuksani, sipas gazetares, mësohet të jetë shprehur se pasi ka shkuar në banesën e 51-vjeçarit fillimisht janë konfliktuar, më pas e ka qëlluar atë për vdekje me kallashnikov, armë të cilën Lekë Vuksani thotë se ishte në pronësi të viktimës, Petrit Vuksanit.

Ndërkohë kujtojmë që policia mban pistën që Lekë Vuksani ka shkuar i armatosur në banesën e 51-vjeçarit.  

Gazetarja Kalaja solli këtë të enjte detaje edhe nga dëshmia e gruas që kërcënoi me armë Lekë Vuksani për t’iu fshehur policisë.

Vuksani e njihte atë pasi zonja në fjalë ishte fqinje me vëllain e tij. Ajo është habitur kur ai i ka shkuar me armë. Nga errësira dhe nga frika ajo nuk ka reaguar.

Megjithatë, në polici gruaja ka thënë se Lekë Vuksani ka shfaqur një sjellje normale. Ajo e ka parë atë duke komunikuar me familjarët dhe duke i treguar vendndodhjen, çka ka bërë lokalizimin e tij.

“Njihte vëllain e autorit sepse ishte fqinj aty. Është habitur kur ai ka shkuar me armë. Megjithatë ka thënë që nuk do të bëjë gjë nëse ajo nuk flet. Ka qenë errësirë dhe nga frika ajo nuk ka reaguar pavarësisht se siç ka theksuar edhe në polici, Lekë Vuskani, autori i ngjarjes së rëndë ka pasur një sjellje krejt normale ndonëse ka qenë i armatosur.

Me zonjën në fjalë nuk ka pasur asnjë përballje të themi përveç faktit që i ka kërkuar që të qëndrojë aty. Frika nuk e ka lejuar zonjën që ta denoncojë në polici. Ajo ka sqaruar që vetë Vuksani është parë duke komunikuar me të afërm duke treguar vetë edhe vendndodhjen ku ishte. Ndaj edhe policia ka mbërritur vetë në banesën e zonjës dhe ka ndaluar autorin”, raportoi gazetarja.

Edhe familjarët e tjerë të Vuksanit janë shprehur se ai nuk e ka fikur celularin në asnjë moment.

Kujtojmë se ngjarja në fjalë ndodhi mesditën e së martës, në lagjen “Tom Kola” të Shkodrës (Lexo më shumë). Pasi e qëlloi për vdekje në banesën e tij, Lekë Vuksani u arratis, për t’u arrestuar 21 orë më pas (Lexo më shumë). Ai u arrestua nga autoritetet policore në një shtëpi në lagjen “Pjetër Budi”, ku u fsheh pasi kërcënoi të zonjën e shtëpisë./tvklan.al