“Bota e krimit në Fier ka lidhje të konsoliduar me politikën”

Akuzat se krimi po përfiton tendera publike në Fier e çuan Petro Koçin para prokurorëve të SPAK, të cilët e thirren për ta pyetur mbi provat që ai ka për këto akuza.

“Ajo që kam thënë se ata ndikojnë në financat publike ose përmes lidhjeve të drejtëpërdrejta ose duke kërcënuar zyrtarë të niveleve të ndryshme është e vërtetë. Ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra dhe i janë përkulur presionit të krimit”.

Duke folur për mediat pasi doli nga SPAK ai bëri disa akuza të tjera të rënda. Tha se LSI u lidh me krimin në Fier gjatë zgjedhjeve.

“Bota e krimit në Fier ka pasur lidhje të konsoliduara me politikën. Mund t’u them dhe rastet e fundit të tillë në marrëdhënie me LSI edhe ndikuan në rezultate zgjedhore në zgjedhjet e fundit. Qëndrimet e mia nuk janë për të larë hesapet me asnjë politikan, ne duhet të lajmë hesapet me botën e krimit dhe nuk duhet të lejojmë të jenë influent në jetën publike dhe në vendimmarrjet zyrtare”.

Këto deklarata të Petro Koçit vijnë në një kohë kur pas hetimeve të SPAK-ut, në pranga kanë përfunduar disa zyrtarë të lartë, mes të cilëve edhe kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe, për shpërdorim detyre dhe abuzim me tederat, ish-zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda e në një kohë kur SPAK ka dërguar në Gjykatë edhe dosjen për ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri.

Tv Klan