Peza: Zgjedhjet në vitin 2021, nuk ka tentativa për negociata

Peza: Zgjedhjet në vitin 2021, nuk ka tentativa për negociata

22:37 09/09/2019

Duke komentuar krizën politike në vend, analisti Alfred Peza thotë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, por ato do të mbahen në vitin 2021.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Peza është shprehur se edhe në mbledhjen e sotme të Kryeministrit Rama me grupin e tij parlamentar, nuk është diskutuar një gjë e tillë, ndryshe nga sa tha analisti Robert Rakipllari në “Opinion”.

“Partia Socialiste ka hyrë në një proces zgjedhjesh të brendshme pas zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe pas çdo palë zgjedhjesh lokale, PS futet në proces zgjedhor të brendshëm. Nëse është folur për zgjedhjet, z.Rama ka folur vetëm për këtë. Dihet që çdo parti politike, si Partia Socialiste që është partia më e madhe në Shqipëri, është një makineri elektorale që gjithmonë është gati për zgjedhje dhe nuk ka lidhje fare me ndonjë pritshëmri për zgjedhje të shpejta. Zgjedhjet do të jenë në vitin 2021 dhe pikë! Jam shumë i informuar për këtë gjë, kështu që flijeni mendjen, në vitin 2021 zgjedhjet. Ka zero zhvillime në këtë drejtim. Vazhdon në pozicionet që kemi qenë”, deklaroi Peza.

Edhe sot e kësaj dite, sipas Alfred Pezës nuk ka tentativa për negociata mes mazhorancës dhe opozitës.

“Nuk ka asnjë tentativë underground për negociata. PD është e qetë”.

Sa i përket raportimit të Presidentit Meta ditën e sotme në Komisionin Hetimor, analisti Peza u shpreh se ndodhi për herë të parë që një Presidenti paraqitet në një komision për shkarkimin e tij.

“Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar kemi një President Republike paraqitur përpara një Komisioni Hetimor Parlamentar me procedurë për shkarkimin e tij. E dyta është që Presidenti është më në fund me kostumin e Presidentit dhe jo me kostumin e plazhit. Dhe e treta, ajo që ndodhi sot tregon sa serioze është mazhoranca socialiste përpara një procedure të tillë dhe një hapi që ka ndërmarrë për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Ajo nuk bën shoë politik siç mazhorancat e tjera kanë bërë në të kaluarën, por ka treguar se është në lartësinë e një mazhorance të përgjegjshme”. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
UKT