Premtuan se deri të hënën do të kishin gati qeverinë e re të Italisë. Por Lega Nord dhe 5 Yjet kanë nevojë për më tepër kohë të sheshojnë ndasitë e tyre për programin bashkëqeverisjes dhe kërkuan shtyrje të afatit deri të enjten.

Pavarësisht se gjetën gjuhën e përbashkët për shumë pika javën e kaluar, mbeten ende për tu diskutuar mes tyre çështje si drejtësia, emigrantët, veprat e mëdha dhe kufizimet që Bashkimi Europian i ka vënë për çështje financiare pas krizës së 2010-ës.

Pas dakordësisë mes Salvinit e Di Maios për ndryshime në reformën e pensionit e kufizimet në deficitin buxhetor, të kërkuara vite më parë nga Brukseli, Komisioni Europian shprehu shqetësimin se ndryshimet mund të rikthejnë krizën e Eurozonës.

Shqetësim nga Brukseli edhe për planin e Lega Nord për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm. Por Mateo Salvini i bëri thirrje Bashkimit Europian të mos ndërhyjë në çështje të brendshme.

Dy partitë ende nuk kanë gjetur gjithashtu një figurë që do të drejtojë qeverinë, për të cilën e sigurt është që nëse formohet kjo do të jetë e para qeveri euro-skeptike në Itali.

Tv Klan