Vendimi i Panuçit për të ndëshkuar portierin Strakosha vetëm pse nuk u grumbullua në orar pasi i iku avioni dhe refuzimi i Lenjanit, kanë krijuar jo pak shqetësime tek kuqezinjtë. Kjo ishte arsyeja pse Migjen Basha u bëri thirrje lojtarëve që të jenë të përqendruar dhe të mos ndikohen në fushë nga mungesat e portierit.

“Vendimi i Lenjanit është personal, ndërsa për Thomasin ka vendosur trajneri, duke konsideruar një thyerje disiplinore. Gjithsesi kjo nuk duhet të ndikojë në sjelljen tonë në stërvitje dhe në fushë”.

Strakosha nuk ka pranuar ta komentojë vendimin e trajnerit, ndërsa babai i tij, ish-portieri i kombëtares, Foto Strakosha, edhe pse i kujdesshëm nuk e ka fshehur zhgënjimin. Teksa të grumbulluarit inkurajojnë njëri-tjetrin që këto vendime të mos ndikojnë tek fryma e skuadrës, mungesa e portierit kryesor shton pasigurinë në portën e Shqipërisë në dy ndeshjet kualifikuese për Europianin, kundër Turqisë dhe Andorës.

Vendimi i Panuccit për ta lënë jashtë Strakoshën vetëm për një vonesë vjen në një kohë kur mediat italiane e cilësojnë portierin e Kombëtares si lojtar kyç në portën e ekipit të Lazios ku ai po aktivizohet në të gjitha ndeshjet. Kombëtarja vjen në këto eleminatore me një bilanc negativ në miqësore, çka u vu në dukje edhe nga mesfushori Memushaj.

“Kemi bërë paraqitje të mira, por edhe negative, megjithatë duhet të shohim përpara, për të bërë mirë në këtë edicion që po starton”.

Trajneri Panucci më parë ka lënë jashte lojës edhe sulmuesin Sokol Cikalleshi për shkak se nuk arriti në kohë orarin e grumbullimit, vendim i cili gjithashtu i kushtoi kombëtares.

Tv Klan