Plot 2150 masa të ndryshme administrative janë vendosur gjatë fundjavës nga Policia Rrugore e Tiranës për drejtuesit e automjeteve. Nga këto rezultojnë 117 patenta të pezulluara për alkool (38), shpejtësi tej normave (56) dhe shkelje të tjera rrugore (23).

Nga kontrollet policore në akse të ndryshme të kryeqytetit gjatë fundjavës, u evidentuan shoferë me nivele të larta të alkoolit deri në 1.30 mg/l apo shpejtësitë deri në 170 km/h, që për kushtet e rrugës dhe lageshtirën ky nivel alkooli dhe shpejtësitë e larta, janë një rrezik potencial, jo vetëm për drejtuesin e mjetit dhe pasagjerët që udhëtojnë me të, por për të gjithë përdoruesit e tjerë të rrugës.

Në pranga ranë 21 drejtues mjetesh,  nga të cilët 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 3 drejtues motomjetesh të papajisur me leje drejtimi, si dhe dy drejtues mjetesh për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj funksionarëve që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkohë, gjobat e tjera janë vendosur për përdorim celulari gjatë drejtimit të automjetit, mospërdorim të kasës mbrojtëse në motor dhe shkelje të tjera administrative.

/tvklan.al