Presidenti palestinez Abbas i bën presion SHBA-së që të sigurojë armëpushim

Vendkalimi kufitar i Rafahut mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës është e vetmja pikë e daljes nga enklava palestineze që nuk kontrollohet nga Izraeli. Kamionët e ndihmës po vijojnë udhëtimin drejt spitaleve dhe kampeve të refugjatëve, ndërsa kalimi i të plagosurve dhe shtetasve të huaj është pezulluar pas sulmit izraelit ndaj një kolone ambulancash.

Në kampin e refugjatëve Maghazi në Gaza, banorët janë në kërkim të viktimave ose të mbijetuarve.

“Gjithë natën unë dhe burrat e tjerë jemi përpjekur të nxjerrim të vdekurit nga rrënojat. Kemi fëmijë të bërë copash”,  thotë 53-vjeçari Saeed al-Nejma.

Një zëdhënës i ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës të drejtuar nga Hamasi tha se forcat izraelite e goditën kampin gjatë natës, duke vrarë të paktën 47 vetë.

Në një sulm tjetër, 21 palestinezë nga një familje, duke përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë gjatë natës, tha ministria e shëndetësisë.

Në qytetin Khan Younis të Gazës po mungojnë dhe drutë e zjarrit për gatim ndërsa karburanti është i pakët. Të Dielën gratë dhe fëmijët mblodhën degë të thata në anë të rrugës dhe i vendosën në një karrocë për t’i djegur. Yasser al-Astal, i cili gatuan për mijëra njerëz të zhvendosur që banojnë në shkollat e OKB-së, tha se ai dhe të tjerët po përballen me vështirësi ekstreme për të siguruar vetëm një vakt.

“Gazi është litari për ne, si duhet të gatuajmë pa gaz? Në dru zjarri? Nuk është e mjaftueshme”, tha al-Astal.

I rikthyer me urgjencë në rajon, sekretari amerikan i Shtetit u takua në Ramallah me presidentin e autoritetit palestinez, Mahmood Abbas.

“Ne kërkojmë që t’i ndaloni ata menjëherë të kryejnë këto krime,” i tha Abbas Blinkenit, duke kërkuar një “armëpushim të menjëhershëm” nga Izraeli.

“Nuk ka fjalë për të përshkruar luftën e gjenocidit dhe shkatërrimit, të cilës populli ynë palestinez po i nënshtrohet në Gaza makinerisë së luftës izraelite, pa marrë parasysh rregullat e së drejtës ndërkombëtare,” citohet Abbas nga agjencia palestineze e lajmeve.

Ministrat e Jashtëm të Katarit, Arabisë Saudite, Egjipti, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u takuan me Blinken në Aman të Shtunën dhe gjithashtu i kërkuan atij që të bindë Izraelin që të pajtohet me një armëpushim.

Papa Françesku iu bashkua thirrjeve për paqe. “Ndaluni në emër të Zotit”, tha ai, duke bërë thirrje për ndihmë humanitare dhe mjekim të të lënduarave në Gaza.

Por sekretari Blinken thotë se nga një armëpushim do të përfitojë Hamasi, i cili mund të rigrupohet dhe të sulmojë përsëri. Në vend të kësaj, SHBA-ja kërkon një armëpushim humanitar.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu refuzoi sërish thirrjet për armëpushim në Gaza.

“Nuk do të ketë armëpushim pa kthimin e pengjeve, këtë ua themi edhe armiqve edhe miqve tanë. Do të vazhdojmë derisa t’i mundim”, tha ai.

Zyrtarët shëndetësorë të Gazës thanë të Dielën se të paktën 9,770 palestinezë janë vrarë në luftë që nga 7 Tetori.

Izraeli vazhdoi të sulmojë Rripin e Gazës nga ajri, deti dhe toka gjatë natës. Ushtria tha të Dielën tha se ka zbuluar një rrjet tunelesh të Hamasit, qendra komanduese dhe raketahedhës nën dhe pranë spitaleve në Gazën Veriore.

“Hamasi shfrytëzon sistematikisht spitalet si pjesë e makinës së tij të luftës,” u tha gazetarëve zëdhënësi kryesor ushtarak i Izraelit, Admirali Daniel Hagari.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se ka pasur gjithashtu bombardime intensive, shpërthime artilerie dhe sulme ajrore në afërsi të spitalit Al-Quds të Gazës.

Kushtet e jetesës në Gaza, tashmë të rënda para luftës, janë përkeqësuar. Ushqimi është i pakët, banorët po pinë ujë të kripur dhe shërbimet mjekësore po shemben.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shkarkoi një anëtar të kabinetit të tij i cili hodhi idenë e një sulmi bërthamor në Gaza.

Përkeqësimi i dhunës në Bregun e pushtuar Perëndimor nga Izraeli ka nxitur shqetësimet për hapjen e një fronti të tretë lufte, përveç kufirit verior të Izraelit, ku janë shtuar përleshjet me forcat libaneze të Hezbollahut.

Në Abu Dis, një fshat palestinez pranë Jerusalemit, policia izraelite u qëllua nga një person i armatosur dhe e vrau atë.

Klan News