Drejtoria Vendore e Policisë së Fierit ka pezulluar nga detyra punonjësit e policisë të cilët lejuan gazetarët që të pyesnin dhe intervistonin 36-vjeçarin Saimir Meçani i cili akuzohet për dhunën fizike dhe përdhunimin e gjyshes së tij.

Pas daljes nga gjykata për masë sigurie ditën e sotme, punonjësit e policisë lejuan mediat të filmonin brenda makinës së policisë 36-vjeçarin Meçani dhe ta pyesnin për krimin që akuzohet se ka bërë.  

Në përfundim të marrjes së masës së sigurisë, punonjësit e Policisë që ishin të planëzuar me shërbim për shoqërimin e 36-vjeçarit, në kundërshtim me procedurat standarde të punës, duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar qytetarë e gazetarë të bisedonin dhe ta pyesnin shtetasin e ndaluar brenda automjetit të Policisë. Në lidhje me këtë shkelje, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve T. K., F. G. dhe G. Ç., për shkeljen e kryer. Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor ndaj këtyre punonjësve, për shkelje të rëndë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Fierit.

Gjatë seancës me dyer të mbyllura, avokati i tij mbrojtës kërkoi një masë më të lehtë sigurie për Meçanin, por kërkesa u rrëzua nga gjykata e cila vendosi arrest në burg. I riu u arrestua pas denoncimit të familjarëve, për dhunimin dhe përdhunimin e gjyshes së tij 89-vjeçare. /tvklan.al