Drejtori i burgut 313 në Tiranë, Maksim Hamitaj, është pezulluar nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të ABC News, sipas të cilave, Hamitaj u pezullua për shkak se dyshohet për favorizime ndaj Emiliano Shullazit në këtë IEVP.

Sipas të njëjtave burimeve, drejtori Hamitaj i ka mundësuar takime të shpeshta Shullazit, ndryshe nga sa e lejon rregullorja e burgut.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar para disa ditësh se ka hapur garën për drejtues të rinj të burgjeve në kuadër të reformimit të thellë në të gjithë sistemin penitenciar.

Ministrja Etilda Gjonaj ka paralajmëruar se të gjithë drejtorët e burgjeve do të duhet të kalojnë një fazë kontrolli në fushën e profesionalizmit. /tvklan.al