Situata Covid-19 bllokon investimet publike

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pezulluar tenderin ndërkombëtar për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe operimit të aeroportit të Vlorës.

Pezullimi i procedurës është bërë pas vendimit të Agjencisë së Prokurimit Publik për ndalimin dhe pezullimin e çdo procedure që nuk ka në fokus blerjet e emergjencës për shkak të pandemisë së Covid-19.

Aktualisht çdo investim publik është pezulluar për shkak të pasigurisë që po jep situate shëndetësore dhe angazhimet që do t’i nevojiten buxhetit për të bërë paketa financiare në ndihmë të bizneseve dhe shtresave në nevojë.

Ofertat duhet të dorëzoheshin më 12 mars, por pas nisjes së masave të karantinimit dhe bllokimit të punës nga shumë agjenci afati u shty dy herë për në fund të muajit prill, ndërsa tashmë gjithë procedura do të varet nga zgjatja e pandemisë.

Nëse procesi do të kishte shkuar sipas parashikimeve, ndërtimi i aeroportit të Vlorës do të niste më 31 maj për të përfunduar pas dy vjetësh.

Aeroporti mendohet të kushtojë 87 milion euro, të cilat sipas formulës së tenderit do të investohen nga kompania që do ta ndërtojë dhe më pas do të realizojë të ardhura nga operimi I pistës, ndërsa buxheti i shtetit do të garantojë të ardhurat e saj për 10 vjet nëse do të jenë më të ulëta se 140 milion euro.

Vendndodhja e pistës është zgjedhur zona e Akërnisë në Vlorë, 10 minuta larg aksit kombëtar Fier- Vlorë, ndërsa linjat e fluturimeve mendohet të ishin ultra lowcost që të siguronin një fluks prej rreth 600 mijë pasagjerë në vit.

Tv Klan