Gjyqi për vdekjen e legjendës argjentinase, Diego Maradona, është pezulluar të paktën deri më 27 Maj. Prokurori Particio Ferrari, ka kërkuar pezullimin e gjyqtares Julieta Makintach.
Kjo e fundit dyshohet se lejoi xhirimin e një dokumentari gjatë gjyqit dhe sipas prokurorit diçka e tillë, komprometon prestigjin e gjyqësorit.
Avokatët e familjes së Maradonës i janë bashkuar thirrjes për pezullimin e gjyqtares, ndërsa gjyqi është pezulluar përkohësisht, të paktën deri më 27 Maj.
Diego Armando Maradona u nda nga jeta më 25 Nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, si pasojë e një krize kardiake teksa ndodhej në rezidencën e tij në Tigre, një zonë luksoze në periferi të Buenos Airesit.
Ai ishte duke u rikuperuar nga një operacion për heqjen e një hematome në tru, por hetimet kanë ngritur dyshime të mëdha mbi mënyrën si ishte trajtuar gjatë kësaj kohe.
Në Buenos Aires ka nisur prej disa muaj gjyqi ndaj shtatë mjekëve, të cilët akuzohen për neglizhencë ndaj Maradonës, gjatë kohës kur ai po rikuperohej nga operacioni.
/tvklan.al