Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pezulluar procedurën e dhënies me koncesion të termocentralit të Vlorës. Më datën 28 Shkurt u mbyll afati për dorëzimin e ofertave të kompanive pjesëmarrëse në garën e tenderit.

Mësohet se në vizitën në terren që u bë pranë termocentralit ishin 27 kompani, të cilat paraqitën interes për të zhvilluar TEC-in, shumica prej të cilave të huaja, por pas një raporti të firmës konsulente e ministrisë në këtë tender, procedura është pezulluar.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nuk mund të vlerësojë ofertat për 10 ditë deri në sqarimin e pikave që ka lënë eksperti ndërkombëtar. Televizioni Klan ka mësuar se kompania konsulente ka zbuluar parregullsi në këtë procedurë.

Që prej vitit 2011 kur u ndërtua e deri më sot, TEC-i i Vlorës nuk ka punuar asnjë ditë, jo vetëm se kostot e prodhimit të energjisë me naftë janë tepër të larta, por edhe për shkak të një defekti që u shkaktua në turbinën e ftohjes, çështje për të cilën vendi ynë shkoi për vite me radhë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Vepra ka kushtuar 110 milionë euro, ndërsa gazi natyror që do të kalojë nga TAP do të bëjë furnizimin për prodhimin e energjisë. Në garën e hapur qeveria kishte caktuar si kusht që kompania fituese të investojë 56 milionë euro për të realizuar lidhjen e TEC-it me gazsjellësin në Fier, si dhe rregullimin e turbinës së ftohjes.

Tv Klan